Pajisja me librezën e kujdesit shëndetësor nga popullata, është më tepër se domosdoshmëri një nevojë, e padiskutueshme. Por në qytetin numër dy të vendit, me një shtrirje të madhe gjeografike dhe me numër popullsie të dyfishuar pas qershorit të 2015-s, në dispozicion të popullit është vetëm një sportel. Nga Ishmi në Sukth, Shijak, Manëz e Durrës, e gjithë popullata përplaset në një derë, për t’u pajisur me kartën shëndetësore. Jo në pak raste jepet alarmi se mungon kartoni i kartës së shëndetit. Banorët në mënyrë të vazhdueshme ankohen për shërbimet e munguara e të cunguara.

Qytetarët:

“Jam nga Sukthi, jam pensioniste dhe vij e pres këtu deri sa të vijë radha. Kur më vjen radha, e mbyllin se shkon vonë”, shprehet një e moshuar.

Një qytetar tjetër thotë: “Këtu kam tre a katër ditë që vij, kalojnë 2 a tre orë në pritje, mërzitem dhe iki. Radha-radhë, nuk duroj dot gjatë. Na kërkojnë një tufë me dokumente që të pajisemi me kartën e shëndetit. Po sorollatemi e nuk mbarojmë punë”.

Një grua me asistencë sociale thotë: “Na kërkojnë për çdo muaj të pajisemi me kartë shëndeti. Kjo është absurde, sepse me afat një mujor na i japin. Më parë, karta e shëndetit e kishte afatin tre muaj, tani një muaj e ka. Mbetëm në dyert e kujdesit shëndetësor.”

“Çfarë s’po ndodh, presim në radhë, për t’u pajisur me kartë shëndeti, e na thonë që nuk ka as kartonë. Vetëm kujdes shëndeti nuk është ky”, thotë i revoltuar një tjetër banor.

K.H.