Kupa e Shqipërisë rikthehet me ndeshjet e dyta të fazës çerekfinale teksa janë zyrtarizuar edhe oraret se kur do të luhen përballjet e kësaj faze të këtij kompeticioni. Skënderbeu do të presë Vllazninë në Korçë, ku do të kërkojë fitoren për t’u kualifikuar pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë. Kjo përballje luhet në orën 13:30, ashtu si edhe sfida midis Tiranës e Flamurtarit e ajo në Kukës mes vendasve e Teutës.
Tirana ka fituar ndeshjen e parë në Vlorë me rezultatin minimal 0-1 e është më pranë kualifikimit, ndërsa Teuta shkon drejt Kukësit për të mbrojtur fitoren 1-0 të arritur në stadiumin “Niko Dovana”. Faza çerekfinale e kupës përmbyllet me ndeshjen Partizani- Laçi, e të kuqtë kanë si detyrë të përmbysin disavantazhin 2-0 të ndeshjes së parë ndaj fituesve të kupës në fuqi.
Kupa e Shqipërisë, Faza çerekfinale e mërkurë, 17 shkurt
Skënderbeu – Vllaznia (Stadiumi “Skënderbeu”, ora 13:30)
Tirana – Flamurtari (Stadiumi “Selman Stërmasi”, ora 13:30)
Kukësi – Teuta (Stadiumi “Zeqir Ymeri”, ora 13:30)
Partizani – Laçi (Stadiumi “Qemal Stafa”, ora 17:00)