Nevojitej një provë force dhe një mesazh për rivalët. Por, Interi i Roberto Mancinit vazhdon të zhgënjejë. Zikaltërit u mposhtën 2-1 në fushën e Fiorentinës, duke humbur vendin e tretë në Serinë A. Një disfatë tronditëse për mënyrën si rrodhi ndeshja: Humbje me përmbysje, me një gol në minutat shtesë. Duke shfrytëzuar faktorin fushë, Fiorentina e nis furishëm ndeshjen.
I pari sinjal i rrezikshëm kaloi nga këmbët e Bernardeschit, që pasi kaloi dy kundërshtarë, gjeti në rrugën e tij Handanovic. Në të 13-n ishte Telles ai që realizoi një mrekulli për Interin, duke evituar një gol të sigurt pas goditjes së Ilicic. Zikaltërit në apati të plotë vuajtën ritmin e lart të vjollcëve dhe nuk krijuan praktikisht asgjë . Por, në të parën dalje të rrezikshme, Brozovic zhbllokoi sfidën. Një aksion perfekt i zikaltërve, ku Kondogbia vertikalizoi për Palacio-n, që nga fundorja gjeti të lirë mesfushorin kroat, që nuk e kishte të vështirë të shënonte. Fiorentina vuajti goditjen dhe provoi të reagonte vetëm në fundin e pjesës së parë të sfidës me Vecino-n, devijimi me kokë i të cilit u neutralizua nga Handanovic.
Ashtu si në pjesën e parë të lojës, pas pushimit ndërmjet pjesëve vendasit ishin sërish ai që vendosën ritmin në fushë. Fillimisht një pretendim për 11-metërsh nga Tello, me gjyqtarin që vazhdoi lojën dhe më pas goli i barazimit me Borja Valero. Murillo devijoi harkimin e Ilicic nga e djathta dhe spanjolli përfitoi duke mposhtur Handanovic. Pak çaste më pas, Fiorentina pretendoi një tjetër penallti për prekje të topit me dorë nga Telles, me lojën që vazhdoi. Interi që vuante të organizonte sulme të rrezikshme i dha besim Fiorentinës që u hodh në kërkim të tre pikëve. Një avantazh për ekipin e Paulo Sosa-s ishte kartoni i dytë i verdhë i Alex Nicolao Telles në të 82-ën, me zikaltërit që nuk i rezistuan presionit të kundërshtarëve.
Fituesi i sfidës në Artemio Franchi u vendos në minutat shtesë. I aktivizuar në të 87-ën, Khouma Babacar iu nevojitën 4 minuta në fushë për ta dërguar topin në rrjetë. Sfida mbyllet mes tensionit, me kartonin e kuq të Zarate për Fiorentinën. Gjithsesi, vjollcët regjistruan një sukses të jashtëzakonshëm, duke i rrëmbyer vendin e tretë në renditje pikërisht Interit. Zikaltërit janë në krizë të plotë, me vetëm një fitore në gjashtë javët e fundit, ndërsa tensioni është i dukshëm. Kjo u konfirmua edhe nga kartoni i kuq për Kondogbia, pas përfundimit të ndeshjes, me mesfushorin që duartrokiti me ironi gjyqtarin.