Teksa sot po zhvillohet procesi zgjedhor i delegatëve të Kongresit të PS-së në katër qarqe të vendit, kryeministri Edi Rama përmes një statusi të shkurtër në faqen e tij në “Facebook” u ka shprehur mirënjohjen gjithë socialistëve që po sfidojnë motin e keq për të marrë pjesë në votime dhe u ka kujtuar edhe një shprehje.
“Mirënjohje socialistëve që megjithë shiun po votojnë në masë delegatët e Kongresit në qarqet FR EL KO BR. Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”, shkruan Rama.
Ajo që të bën përshtypje është shprehja popullore, të cilën kryeministri mesa duket ia referon deputetit Ben Blushi.
Pak pasi shkroi këtë status, Blushi i cili kërkon me këmbëngulje që të zhvillohen zgjedhje për kryetar në PS, akuzoi hapur kryeministrin për zgjedhje dhe proces të trukuar të delegatëve, duke e quajtur Ramën si njeriun më qesharak në histori.
“Sot pretendohet se po zgjidhen anëtarët sipas parimit “një anëtar, një votë.” Nëse formalisht po zgjidhen sipas statusit në fuqi të PS-së, a mund të pranohet që delegatët të zgjidhen kështu, kurse kryetari që pretendon se ka marrë 1 milion vota, nuk pranon të zgjidhet me “një anëtar – një vote”?! Pse nuk i nënshtrohet ky këtij votimi?! Për çfarë zgjedhjesh po flasim këtu? Për një njeri që emëron zgjedhësit e tjerë?
Karvani i Edi Ramës shkon përpara, po ky nuk është karvani i PS-së, po i një kaste që ka uzurpuar PS-së dhe ka shtënë në dorë qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Unë do bëj propozimet e mia në Kongres, por këto zgjedhje do të kërkoja të bëhen sipas statusit në fuqi dhe ajo që po ndodh ilustron më mirë se gjithçka, kontradiktën logjike: 'Ju keni të drejtë të votoni delegatët, por nuk keni të drejtë të më votoni mua!' Pra, i zhvesh ata nga e drejta. Ky është sistem monarkik dhe Rama është njeriu më qesharak në këtë histori”, tha Blushi në një komunikim për “News 24”.





