Përgjigjet e analizave për check-up falas janë të garantuara në mënyrë profesionale dhe të zhvilluara sipas standardeve më të larta të mjekësisë bashkëkohore. Kjo, falë një rrjeti prej 20 laboratorësh modernë, në të gjithë Shqipërinë, investim prej 3.2 milion Euro, të vënë në dispozicion nga konsorciumi 3P Life Logistic.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në një prej laboratorëve që ndodhen në Tiranë, ku pa nga afër kushtet dhe procedurat e zhvillimit të analizave, si dhe u takua me stafin mjekësor që shërben aty. Pajisjet laboratorike me të cilat punohet në këta laboratorë, po ashtu edhe reagentet, janë prodhime të markave zvicerane “Roche” dhe amerikane “Abbott”, që të dy emra lider botërorë në fushën e laboratorëve diagnostifikues. Laboratori është i akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, përmes një procesi të kryer nga specialistë të huaj, të njohur dhe me eksperiencë shumëvjeçarë ne akreditimet e laboratorëve në Francë dhe në Itali.
Stafi mjekësor laboratorik përbëhet nga 61 punonjës, mes të cilëve mjekë me eksperiencë shumëvjeçare në fushën laboratorike, me trajnime specifike të fushës, si dhe me tituj shkencorë që garantojnë saktësinë e rezultateve të analizave.
Ministri i shëndetësisë Beqaj shpjegoi se flota prej 40 automjetesh e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, merr kampionët e gjakut nga 380 qendra shëndetësore në vend për ti dërguar ato në laboratorë. “Rrjeti i laboratorëve të partnerit, ka një investim të partnerit privat prej 3,2 milion euro. Janë 380 qendra shëndetësore, ku flota me 40 automjete, merr kampionët dhe i sjell në laboratorë në të gjithë vendin,” – u shpreh Beqaj.
Administratori i kompanisë Altin Fani shpjegoi se transporti i kampioneve të analizave kryhet duke përdorur teknologji të specializuar gjermane nga kompania “Delta T” e specializuar dhe e pajisur edhe për transportin e organeve. Falë këtij organizimi, kthimi i përgjigjeve tek qytetarët bëhet brenda 2 javësh. “Është një kompani gjermane që merret me transportimin e kampioneve të gjakut. Është një kompani që është e certifikuar vetëm për transportin e kampioneve të gjakut dhe organeve njerëzore,” u shpreh Fani.
Megjithatë, krahas kësaj procedure normale për kthimin e përgjigjeve të qytetarëve, në këta laboratorë aplikohet edhe një procedurë e përshpejtuar e kthimit të përgjigjeve brenda një kohe prej 24-48 orë për rastet që konsiderohen ALERT, dhe rekomandohen nga mjeku, apo verifikohen përgjatë kryerjes së ekzaminimeve laboratorike. Për këto raste njoftohet menjëherë Qendra Shëndetësore nga janë kryer analizat, si dhe mjekët e familjes për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Gjithashtu administratori u shpreh se një vëmendje të veçante i është kushtuar arsimimit të punonjësve, si një kusht i rëndësishëm për të qenë pjesë e stafit. “ I kam vënë shumë rëndësi shkollimit të personave të punësuar. Shumica e vajzave janë të shkolluara jashtë.”
Nesi është një prej koordinatoreve të laboratorit, e arsimuar në New York. Me eksperiencën e saj prej një viti në laborator, ajo thotë se janë evidentuar problematika, të cilat me trajtimin e duhur dhe në kohë, shpëtojnë jetë. “Unë jam Nesi kam studiuar për bioinformatikë në New York. Punoj me check-up që prej një viti, që ditën e parë që ka filluar. Luaj rolin e koordinatores së laboratorit. Praktikisht kujdesem që çdo të jetë konform dhe të përputhet, në të gjithë procesin nga qendra shëndetësore deri këtu. Është shumë interesante dhe mendoj që është një program shumë me vlerë për popullsinë sepse realisht po evidentojmë probleme që nëse trajtohen dhe kapen në kohë, shpëtojnë jetë.” – tha ajo.
Po nga New York vjen edhe Lara, e cila është specializuar për teknologji mjekësore. Detyra e saj është të sigurojë mbarëvajtjen e procedurave, që gjithçka të shkojë sipas protokolleve të përcaktuara. “Unë jam Lara, kam mbaruar për teknologji mjekësore në New York, kam bërë dhe menaxhim shëndetësor këtu në Shqipëri. Jam supervizore administrative e laboratorit. Merrem kryesisht me menaxhimin e stafit, hartimin e procedurave, sepse çdo proces që ndodh në laborator është i dokumentuar që të mos ketë, në asnjë moment asnjë lloj konfuzioni, ndiqen të gjitha protokollet dhe formularët përkatës.”
Teksa shprehu kënaqësinë për stafin e përgatitur që shërbente në këtë laborator, kryeministri Rama u shpreh se vetëm një partneritet me privatin, mund të siguronte një cilësi të tillë shërbimi. “Edhe Unë që e kam mbrojtur këtë partneritet publik, privat dhe këtë proces, kam qene krejtësisht i paditur, lidhur me cilësinë e jashtëzakonshme të stafit. Jam shumë i nderuar që kam takuar këto koordinatore të shkëlqyera. Jam i mrekulluar nga teknologjia, nga gjithë serioziteti dhe siguria e procesit dhe sigurisht se e kam ditur që garancia pas këtij suksesi është ndërthurja me dy kompani nga më të famshmet që e mbështesin këtë proces. Këtë investim mund ta bënte vetëm partneriteti me privatin. Nuk e bënte dot shteti këtë lloj investimi dhe nuk e garantonte dot shteti këtë lloj cilësie.”