Partia Demokratike përcjell këto pamje nga materniteti i Korçës, i cili siç shihet nga fotot, është në një gjendje të mjerueshme dhe skandaloze.
Pajisjet janë tejet të amortizuara, mungesa e ilaçeve është e theksuar dhe nënat e reja me foshnjat janë në rrezik për marrjen e infeksioneve të ndryshme. Kushtet e dhomave dhe sallës së lindjes janë shumë të rënda.
Deputetët demokratë Eleni Qirici dhe Gjergj Papa, që vizituan sot ambientet e këtij materniteti, thanë pas vizitës se gjendja është e mjerueshme dhe pa shpresë.
“Pikërisht në vendin ku lind jeta, mashtrimet e ministrit, kryeministrit, për shëndetësi falas dhe rilindje të sistemit dalin krejt zbuluar. Mjekët dhe infermierët këtu punojnë në kushte skandaloze dhe përveç kësaj ata janë nën trysninë e vazhdueshme për t’i zëvendësuar me emërime militantësh”, tha Qirici.
Sipas PD-së, në maternitetin e Korçës është ulur ndjeshëm numri i lindjeve nga viti në vit, për arsye të rënies së besimit te sistemi i shëndetësisë, çka i detyron qytetarët të gjejnë mundësitë e trajtimit në spitalet greke.





