Këtë vit, maturantët do t’i nënshtrohen vetëm 5 provimeve për të hyrë në universitet. Tri prej provimeve do të jenë me detyrim dhe dy me zgjedhje. Nuk do të ketë konkurime hyrëse përveç Universitetit të Artit dhe të Sportit, pra matura shtetërore është thjesht një provim dalës.

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, ka deklaruar se përzgjedhja e lëndëve nga të rinjtë do të bëhet në përputhje me kriteret e fakulteteve që ata kanë përzgjedhur.

Të gjithë kandidatët të cilët nuk kanë arritur të marrin një notë kaluese në njërin prej provimeve të Maturës Shtetërore duhet të plotësojnë sërish formularin A1 dhe A1Z për të hyrë në procesin e maturës së këtij viti.

Ndërsa kandidatët që në Maturën Shtetërore kanë zgjedhur për të dhënë tri lëndë provime me zgjedhje dhe kanë mbetur në dy prej provimeve duhet të zgjedhin vetëm një lëndë nga lista e 24 lëndëve të publikuara në udhëzim.

“Niveli i notës dhe ai i provimeve me zgjedhje do reflektojë në nevojat që kanë maturantët për të hyrë në universitet. Njëkohësisht, po aq i rëndësishëm është edhe formimi i grupimeve të lëndëve që universitetet do të përcaktojnë për të bërë peshën specifike të zgjedhjes së maturantëve, në bazë të ligjit të arsimit të lartë, që i dedikohet universiteteve”, deklaroi Malaj. 

Gjithashtu,kuotat në Universitete do vendosen në mënyrë vertikale nga ftuesi deri te fundorja dhe në bazë të notës mesatare që do të caktohet nga universiteti do të jetë dhe niveli fundor për pranimin në universitet.

Nxënësit do të vlerësohen në bazë të mesatares që ata kanë arritur gjatë tre viteve dhe lëndëve kryesore që janë në themel të degës që ata do të vijojnë.