Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama se është pikërisht ai që gënjen për ligjin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. “Dielli me shoshë dhe e vërteta me rrena nuk mbulohen dot,” – thotë Basha.
Partia Demokratike, para pak ditësh, njoftoi vendimin e saj për miratimin e ligjit për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në anë kohë, Basha deklaroi se ai ligj ishte hartuar me konsensusin e të gjitha palëve dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Por, sot, PD u tërhoq nga ky vendim, duke deklaruar se versioni i ligjit i sjellë nga qeveria në Kuvend nuk është ai i hartuar me konsensus, por pikërisht ai ligj që më parë ishte hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
“Drafti që solli Rama sot në parlament ra më 21 dhjetor kur foli Venecia e tha se Byroja nuk mund të ketë drejtim tjetër veç Prokurorise, – shkruan Basha. – E ftova publikisht tri herë ta miratonim me ndryshimin e Venecias dhe tha do pres prapë Venecian. Tani luan bllofin me draftin e skarcuar. S’i kam faj unë që njihet si gënjeshtar i çertifikuar nga Brukseli në Honolulu.”





