Një intervistë e Nexhmije Hoxhës, gruas së diktatorit Hoxha ka ngjallur debate të pazakonta mes gazetarësh. Në mënyrë të veçantë mes intervistuesish të tv-ve shqiptare. Të gjithë pa përjashtim janë hedhur në sulm ndaj gazetares Rudina Xhunga, me argumentin se nuk i bëri shumë pyetje gruas së diktatorit.
Por a është kjo arsyeja kryesore e kritikave deri diku të argumentuara ndaj gazetares Xhunga? Jo. Këta gazetarë që po e kritikojnë Xhungën se e trajtoi “ëmbël” vejushën e diktatorit, kanë intervistuar vetë një diktator, Ramiz Alinë. Dhe në të shumtën e rasteve, na e kanë sjellë si autorin e pluripartizmit në Shqipëri e jo si një kriminel, pasardhës i denjë i diktatorit. Duket qartë se ka edhe një xhelozi për audiencën e madhe që pati gruaja e diktatorit, një fajtore po aq sa i shoqi.
Nexhmije Hoxhen do ta intervistonin të gjithë gazetarët, ajo zgjodhi një gazetare që dëshironte. Kjo është ndoshta edhe arsyeja që të mërkurën në darkë, në mënyrë të papritur në “Opinion”, u ritransmetua “Diktatori” i Blendi Fevziut. Një hakmarrje ndaj Nexhmije Hoxhës, apo një shërbim ndaj opinionit që të mos harrojnë se kush ishte e intervistuara e Rudina Xhungës të hënën? /Syri.net





