Gjatë mbledhjes së sotme të grupet parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha njoftoi vullnetin e opozitës për të miratuar ligjin për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por, Basha theksoi se ligji do të miratohej vetëm nëse ishte konform rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias.

“Është e vërtetë se ne u dakordësuam me ndërmjetësimin e partnerëve tanë amerikanë për një version që çmontonte kapjen direkte nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, – tha Basha. – Sikundër është e vërtetë që pasi e mbajtën në sirtar me javë të tëra këtë version, erdhi opinioni i Venecias, i cili diktoi në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke se drejtimi i Byrosë nuk mund të jetë i jashtëm nga Prokuroria. Është versioni i Byrosë nën Prokurorinë, siç e parashikon Venecia në rekomandimin e saj nr. 90? Nëse po, atëherë i janë përgjigjur ftesës sonë. Nëse po, i përgëzojmë, ndonëse me vonesë, dhe jemi gati të bashkojmë votat që nesër. Nëse jo, atëherë ky është një truk për të fituar kohë dhe për t’i hedhur hi syve publikut, dhe institucioneve ndërkombëtare.”

Në fjalën e tij, lideri i opozitës u përqëndrua në gjendjen ekonomike të vendit, ku theksoi se “në 900 ditë, i vetmi bilanc i Ramës [është] vjedhje dhe propagandë.”