Majlinda Bregu një nga deputetet më jetëgjata në PD, ish-ministre dhe sot kryetare e Komisionit të Integrimit i ka bërë një skaner PD-së, dhe me kritika të moderuara për Bashën. Lexoni si e sheh Bashën dhe ish- kryetarin Berisha, Majlinda Bregu.
Nga pikëpamja politike, çdo dështim i qeverisë mund të kthehet në favor për PD-në…Ku e shikoni pozicionimin e PD-së në këtë raport qytetar-qeverisje?
Në principin politik, që në këtë rast për mua është cinik, sa më keq punon një qeveri, aq më avantazhe ka një opozitë. Por ky vlen vetëm për ata që e mendojnë politikën si mjet pushteti e jo ndryshimi. Asnjëri prej nesh nuk ndihet mirë se pse një familje jeton edhe pa një llambë në shtëpi se nuk ka të paguajë dritat, pasi kjo i bën hallexhinjtë të pakënaqur dhe përkthehet nesër në votë. Problemi tjetër është që përveç përballjes me thënien e së vërtetës që fshihet nga qeveria, denoncimin e aferave korruptive, shkeljeve që ndodhin, situata e rendit apo e krimit të rënduar, ndjesinë e pasigurisë, neve, opozitës na duhet të ndërtojmë besimin. Mirë këta janë keq, po ne pse jemi ndryshe?
Dhe kjo është ajo që në mënyrë urgjente ne, kemi urgjencë të ndërtojmë dhe ajo që qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë. Si duket rruga e shpëtimit. Mund t’u përsëritësh qytetarëve gjithë ditën që janë kokulur, që kanë rënë buzë greminës etj., etj. Edhe në faza më të rënda të një depresioni madhor, njeriu ka nevojë për një dorë që ta tërheqë dhe ta shpëtojë duke i dhënë shpresë.
Shqipëria nuk është e ndarë në kampe armiqësie, ku palët quhen fitimtarë pasi kanë asgjësuar armikun. Të gjithë shqiptarë jemi e në emër të shqiptarëve flasim. Por këta shqiptarë sot, janë në kolaps besimi te politika. Ju thuhet, ju lexohet çdo ditë se kush merret me politikë është hajdut, kriminel, i korruptuar, dhe nuk mban premtimet, duke i ftuar në mënyrë të tërthortë t’i bëjnë gjyqin secilit prej nesh. Dhe kjo nuk është vetëm e pandershme. Është e rrezikshme pasi po konfliktuon çdo ditë njerëzit me shoqërinë, me njëri-tjetrin, duke i bërë të pashpresë. Nëse qeverinë nuk e ndalojnë dot që të mos ju marrë frymën, duhet t’ju ofrojmë një rrugë bindëse që të na ndjekin ne.
Vetëm këtu mund të jetë një qasje e re me qytetarin. Unë jam e bindur që në tetë vite të qeverisjes sonë shumë gjëra janë bërë aq mirë, sa kjo qeveri nuk do t’i bëjë edhe sikur të jetë 80 vjet të tjera në pushtet. Jam e bindur që edhe në situata shumë të vështira, edhe atëherë kur kishte filluar kriza ekonomike në rajon e më gjerë, ne kemi arritur që të mbajmë një gjendje, në të cilën shqiptarët nuk është se u bënë më të pasurit e botës, por që sigurisht patën një mundësi jetese jo kaq depresive dhe kaq të pashpresë sa është sot. Pra, ne vendosëm prioritete. Gjëra që unë nuk i shoh sot dhe që PD-ja duhet t’i implementojë dhe t’u rikthehet menjëherë në të gjitha artikulimet e saj. PD-ja kur ishte në qeveri kishte një prioritet madhor, që ishte infrastruktura rrugore. PS-ja apo të dyja forcat kryesore që janë në qeverisje sot, nuk e kanë këtë prioritet.
PD-ja vendosi një tjetër prioritet, që ishte lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë. Me të vërtetë ishte një ofertë apo dashamirësi nga pala europiane për të krijuar mundësinë e lëvizjes së lirë, por reformat u kryen në këtë vend dhe asnjë njeri nuk të fal një gjë që nuk e meriton dhe për më tepër në një Evropë që ka vite që jeton dhe noton vetë mes të gjitha pasigurive. Pra, ne funksionuam mbi bazë të prioriteteve. Unë sot nuk shoh që të ketë ndonjë prioritet të kësaj qeverisjeje… Sot ka make up, ka prekje, ka fasadë, ka zbukurime, ka reforma të cilat nisin me qëllimin apo titullin e mirë, por që degradojnë gjatë implementimit të tyre.
Kundrejt kësaj situate që ju përshkruat, postulati i PD-së janë zgjedhjet e parakohshme… Në mos gabohem, nga ajo që ju thatë më sipër, po lini të kuptohet se edhe PD-ja nuk është gati për zgjedhje?
Jo, unë nuk them këtë. Për mua, zgjedhjet janë një mundësi për t’i dhënë vendit një shpëtim nga një situatë, e cila po bëhet gjithnjë e më mbytëse. Zgjedhjet e parakohshme duhen patjetër për një vend që të sjellë një qeveri të re. Por mënyra se si po shkohet, kur njerëzve u ka shkuar litari në fyt, kur asnjë grup interesi, as ata që paguajnë taksa, as ata që përfitojnë nga ata që nuk paguajnë taksa, nuk është i kënaqur, do të thotë që mundësia që të vazhdojë kjo qeveri, është shumë e pakët.
Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme në rastin konkret mund të fitohen vetëm përmes mbështetjes popullore, pasi numrat në Kuvend nuk e favorizojnë opozitën. A është PD-ja inspiruese për të marrë këtë mbështetje nga populli? Çfarë duhet të bëjë ajo që ta rifitojë besimin te njerëzit?
PD-ja është partia më e madhe opozitare në vend. Nuk do të kishte qenë e lehtë opozita me një qeverisje apo mazhorancë të tillë numrash në Kuvend, sikurse as unë besoj se e kisha pritur që një qeverisje dhe një mazhorancë e tillë si ajo që erdhi më 23 qershor, të vetëdënohej kaq shpejt si rezultat i mënyrës se si e ka ballafaquar qeverisjen. PD-ja duke qenë forca më e madhe opozitare, sigurisht që presionin më të madh duhet ta ketë me veten. Unë i qëndroj një deklarate, për të cilën kam bindje dhe do të vazhdoj ta them.
Mua nuk më befason kundërshtari. Unë nuk prisja që reformat apo programi i qeverisjes me të cilin erdhën ata në pushtet, pra dy partitë e koalicionit qeverisës, të ishte një program, i cili do të zbatohej dhe nuk prisja që të kishte një sjellje të ndryshme politike të mazhorancës, sesa nga ajo që ka sot. Nuk jam befasuar nga sjellja politike e mazhorancës edhe pse më duket krejt e padenjë.
Jeni befasuar nga sjellja politike e opozitës?
…Nuk jam befasuar nga sjellja politike e mazhorancës. E keqja e qytetarëve është dhe e keqja jonë. Na takon ne që të gjejmë rrugët se si. Dhe rruga modestisht besoj është ajo që ju thashë pak më lart. Një qeveri jo vetëm denoncohet, por përbri duhet të ofrohet edhe alternativa e besueshme, edhe ekipi besues i të nesërmes, duke i ftuar qytetarët të shohin ndryshimin në qëndrime, parime, vlera, reforma, premtime të cilat bëhen realitet..
Prej kohësh, Rama dhe Meta ndodhen në një periudhë ngrirje-shkrirje në marrëdhënien e tyre politike. Si e shikoni raportin e PD-së në këtë situatë? A po shërben ajo thjesht si një element shantazhues për LSI-në kundrejt PS-së, siç është shprehur kolegu juaj Astrit Patozi, apo ndani një opinion tjetër?
Unë besoj që, siç thotë ajo fjala e urtë: ‘mes një çifti, mos guxo të vendosësh as gishtin’, e njëjta gjë vlen edhe në këtë rast për dizenjon politike në të cilën jemi ne. PD-ja është partia kryesore e opozitës. Nuk na duhet se cilat janë marrëdhëniet qeverisëse mes çiftit sot, që disa herë e kemi etiketuar si një koalicion me një qëllim të përbashkët. Unë nuk besoj se mes dy të këqijave, njëra është e keqja më e vogël. Ky koalicion qeverisës i ka gjynahet e përbashkëta dhe fatin duhet ta ketë të përbashkët.
Por, a mund të vijë PD-ja e vetme në pushtet pa LSI-në?
Neve na takon që të jemi opozita e mirë me përpjekjen për të bashkuar të djathtën e për të ravijëzuar të djathtën në pushtet, që sot është në rrezik.
Si e shikoni ndryshimin e kursit nga ana e PD-së për një koalicion të gjerë, përfshi këtu edhe Bamir Topin…? Ju përfshiheni në atë grupin që duhet një koalicion me Topin, apo jo?
Nuk e di cili është ai grup dhe nuk më duhet në fakt. Them se nuk duhet të kemi asnjë kompleks për të gjitha forcat politike të djathta, pavarësisht se sot e djathta, ashtu si edhe e majta, mendoj se deri diku e kanë humbur linjën e tyre ideologjike të pastër.
Edhe në Shqipëri në fakt është një lloj trendi ku përzihen tashmë. Ka pak qëndrueshmëri ideologjike edhe në të gjithë politikën ndërkombëtare, sepse në fund të fundit, politika duhet të jetë e impenjuar për të ndryshuar ciklin e jetës së qytetarëve, sidomos për Shqipërinë ku ende një përqindje e madhe jeton në varfëri.
Kështu që edhe ne nuk mund të kemi komplekse për të zgjeruar një koalicion me bazë të gjerë për forca të cilat ndajnë vlera, besimin, qëndrimin e njëjtë me partinë kryesore të opozitës. Nuk dua të flas për emra të përveçëm, por flas në parim për koalicion me forca politike, të cilat nuk ishin në koalicion në zgjedhjet e fundit lokale me PD-në, por edhe për ato parti që duan të përballojnë opozitën, të jenë aty për të ndërtuar një alternativë qeverisëse me PD-në sot si forca kryesore e opozitës.
A keni një bilanc për punën e Bashës në krye të PD-së, sepse ende ka një perceptim se është Berisha ai që e drejton partinë sa kohë që është gjithnjë një hap para tij në mënyrën e të bërit opozitë…?
(Berisha) Është kryetari historik i PD-së dhe njeriu më politik në Shqipëri. Keni ndonjë dileme për këtë?!
Megjithatë, politika që po ndjek Berisha, a po i shërben opozitës dhe fundja vetë PD-së dhe kryetarit të saj?
Sali Berisha është themeluesi i PD-së, është ish-kryeministër i këtij vendi, ish-president i këtij vendi njeriu që siç e thashë pak më lart është politikani më i qartë për rolin e peshën e tij si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Për pjesën tjetër nuk kam ndonjë koment.
Çfarë përshtypjesh ju kanë lënë prurjet e reja në PD? A keni ndonjë koment për punën e tyre në cilësinë e një njeriu që keni fituar jo vetëm eksperiencë politike, por edhe qeverisëse?
Janë për t’u vlerësuar të gjithë ata që vendosën për t’iu bashkuar një force politike që është në opozitë. Këtë e them edhe nga eksperienca personale kur ne i jemi bashkuar PD-së në fillim të vitit 2005, pavarësisht se ishim në prag të zgjedhjeve, por diskutimet për KOP-in kishin filluar që në vitin 2004, ku PD-ja ishte në opozitë.
Prandaj kam një vlerësim në parim për të gjithë ata që vendosin që t’i afrohen një force politike që është në opozitë. Pastaj pjesën e rritjes politike duhet ta ndërtosh vetë, ashtu sikurse raportet me të tjerët. Në një parti politike, sikurse në një shoqëri apo ambient psh, nuk ka lezet të hyhet me idenë që të ‘heqësh qafe’ ata që gjen në grup, apo të mendosh se erdhe për t’i dhënë shkëlqimin që i kish munguar prej kohësh grupit.
Gjithsecili prej atyre që i është bashkuar PD-së pavarësisht pozicionit, mënyrës se si dhe se sa punon për të rritur veten në atë pozicion që i është dhënë, për mua duhet përgëzuar. Pastaj, se si do të ecin, se sa prej tyre do t’i mbijetojnë një investimi politik afatgjatë dhe se ku do të jetë pozicioni i tyre pas disa vitesh, këtë gjë sigurisht që nuk mund ta parashikoj.
Por më takon të them, ndoshta edhe nga pozicioni që jam pak më e madhe se ata që sot janë më të rinj, që jam e dëshiruar për të parë sa më shumë njerëz, realisht me cilësi profesionale dhe larg cilësive të thashethemexhinjve.
Duke mbetur tek investimi politik që duhet të krijojë secili prej atyre që ka hyrë rishtas në PD… Ju dhe z. mund të jeni ndër të paktët nga KOP-i, që e fituat ndër vite këtë investim. Prej vitesh ju kemi parë bashkë si pjesë e atij brezi të ri që u angazhua pas vitit 2005 në PD, gjë që prej kohësh nuk po ndodh më. A kanë ndryshuar marrëdhëniet politike mes jush dhe z. ?
Çadra e përbashkët e të gjithëve ne është PD-ja…
*Intervista është marrë nga gazeta Mapo.