Ndërsa hajdutëria e Rama-Beqës me biznesin e tyre në shëndetësi vazhdon, spastrimet e personelit mjekësor thellohen, gjendja e spitaleve sidomos në rrethe është në degradim të përditshëm. Këtë ka deklaruar deputetja demokrate Albina Deda, kur u takua me paciente dhe familjarët e tyre në Maternitetin e Lezhës, ku mungesa e furnizimit me ilace bazike dhe infrastruktura e amortizuar janë dy problem kryesore. Nënat e reja dhe të afërmit e tyre i thanë deputetes Deda se ilaçet i blejnë vetë pasi ato mungojnë tërësisht në këtë spital. Deda konstatoi se në maternitet ka mungesë totale të ilaçeve dhe mjeteve qënësore duke filluar nga oksitocina, setat e operacionit e katateri. “Një problem i madh është amortizimi i mjeteve prej mëse 30 vitesh dhe moszëvendësimi i tyre, mungesë që  rrezikon jetën e nënave dhe foshnjave,” – tha ajo.

Deputetja i bëri thirrje ministrit të shohë realitetin e spitaleve në Veri, mjerimin e tyre. “Ka vetëm shfaqje dhe propagandë të kryeministrit dhe ministrit të shëndetësisë për reformë në shëndetësi dhe shërbim falas, ndërkohë që ata janë të zënë vetëm me koncesione dhe tendera me përfitime marramendëse. Në maternitetin e Lezhës ka mjerim dhe mungesë të theksuar, me mungesë  të ilaceve dhe kushteve normale të trajtimit të pacientëve,” – th​a deputetja e Partise Demokratike.

Deputetja Deda u njoh dhe me shqetësimin e largimit nga puna të një pjese të konsiderueshme të stafit mjeksor, si në maternitet dhe në shërbimin shëndetësor të Lezhës. Çështja e  spastrimeve politike në sistemin shëndetësor në Lezhë, ku një mjek mbulon një numër të lartë pacientësh ishte dhe temë e forumit të Departamentit të Shëndetësisë të Partisë Demokratike me mjekët dhe ekspertë të këtij shërbimi në Lezhë.