Aleanca Kuq e Zi akuzoi sot qeverinë për tenderin "Skavica", duke theksuar se ia dha atë me koncesion një pseudo-firme vetëm për 500 mijë Euro. I mbështetur nga dhjetëra përfaqësues të AK me në krye Kreshnik Spahiun protestuan para Ministrisë së Energjisë dhe Industrise, ku theksoi se Shqipëria nuk është trashëgimi as për PS dhe as për PD. "Për 500 vjet nuk e pushtuan dot Skavicën, por e morën për 500 mijë Euro rryshfet, me firmën fantazmë, – tha Spahiu. – Sot bizneset më të pasura nga Gjermania dhe Franca u skualifikuan dhe nuk u bënë pjesë e financimit të burimeve ujore të lumit Drin. Sot qeveritarët duan të abuzojnë, jo për të administruar Shqipërin, por per rryshfet, janë ngritur ministri dhe kryeministri për të ndarë tesera partie, por a menaxhohet kështu qeveria. Ne jemi këtu të bëjmë publike një nga skandalet për Skavicën, që nuk e morën dot turqit."
Ndër të tjera, Spahiu akuzoi se Skavica do t'i jepet një kompanie fantazmë. "Kjo është një kompani fantazmë, pasi ajo nuk ka ndërtuar kurrë një hidrocentral, në emër të investorëve të huaj dhe atyre shqiptarë, për 500 mije Euro rryshfet. Jemi këtu për të protestuar dhe themi se Shqipëria dhe pasuritë e saj nuk mund të jepen me koncesion. Nuk mund të jepet as me qira e as me koncesion. Në burimin e Drinit, atje ku burojnë 50 përqind e ujërave shqiptare ndërtohen dy HEC të vogla," – shtoi kreu i AK.
Gjithashtu kreu i AK u bëri thirrje atyre që duan të anëtarësohen në Partinë Socialiste që të heqin dorë nga kjo forcë, ndërsa i ftoi të jenë pjesë e Aleancës Kuq e Zi. "Kjo është një parti pushtuese e pasurive kombëtare. Grisini teserat e PS dhe bashkohuni me lëvizjen e patriotëve të shqipëtarëve, bashkohuni me AK," – tha Spahiu.





