Nga Genti Çela
Para pak ditësh në Beragozhd, fshat pranë Pogradecit, brenda një lokali, shpërtheu një bombol gazi ku mbetën të plagosur tridhjetë të rinj. Hej ! Tridhjetë të rinj ! Të gjithë në moshën kur njeriu është e duhet të jetë më energjik, më shpresëplotë për jetën, për të ardhmen. Tre vite më parë, në të njëjtin fshat, pesë vëllezër humbën jetën në një minierë tek nxirrnin skrap për të nxjerrë bukën e frymës së gjallë. Kam qëlluar të jem disa herë në atë ambient. Përpos peizazhit fantastik, lokali ku ndodhi ngjarja e fundit, bën bashkë të rinj të mezipritur të ngrysin ditët e lodhura nën grahmat e ndonjë kupe raki e nën mjegull tymi cigaresh, mospërfillës nga ligje kotësish (për ‘ta) antiduhani. Tridhjetë të rinj ngujuar brenda ca muresh. Nga mungesa totale e hapësirave për një program normal të dit-netëve.
M’u aty brenda atij lokali, është bota aktuale shqiptare, e përditshmja, e vërteta, ajo për të cilën mediat flasin vetëm kur ndodh një shpërthim, vetëm kur digjen njerëz , ajo për të cilën Shqipëria është më e madhe se itinerari zyre-kafe (në Bllok) – shtëpi- Facebook. Ajo është Shqipëria ime. Shqipëria ime e koncesionuar. Shqipëria ku nuk mund të ëndërrosh. E në ëndërrofsh, zgjat po’ aq sa i duhet një shkëndije të shpërthejë në flakë në një realitet mbushur me gaz. Në këtë mbretëri zhelesh që krijon ky fukarallëk material e mendor oqeanik. Ku çfarë shihet është vetëm një shkreti. Aty ku Migjeni do ishte njëri nga ne, e s’do dinte ç’këngë rinie t’ia thoshte, veçse të dëgjonte këngë surrogato që të përplasen surratit. Aty ku tehu i kohës 24h kthehet në rrezik psikik. Përpjekje monumentale si të vritet koha nga të rinj të papunë, të pashpresë, të harruar. Si të vritet ajo hapësira lineare që Zoti e dhuron për t’u jetuar, jo vrarë. Tek shihja emrat e të lënduarve publikuar në media, binte ne sy Eri, 14-vjeçari që lufton mes jetës e vdekjes. Përtej lutjes për shërim sa më të shpejtë, çështja që shtrohet është se cili mund të jetë modeli që Eri krijon vetiu për jetën, për të ardhmen, në këtë vend. Ç’bluan mendja e Erit, për veten se si do të jetë kur të bëhet sa të tjerët gjendur në atë lokal, kur dhe ai të jetë 20-25-27-30 vjeç. Imagjino nëse dhe ai do mendonte që ato vite jete ta gjejnë po aty, duke luajtur bilardo a duke vrarë ditën tek sheh gjithfarë ndeshjesh futbolli nga ekipe të dorës së shtatëmbëdhjetë që vështirë se shihen nga të rinjtë e qyteteve ku luhen nëpër botë. Cili është raporti mes dritës dhe errësirës sot në sytë e Erit të pafajshëm për të nesërmen. Imagjino për një moment, cili mund të jetë botëkuptimi i tij se si fitohet sot një punë, si fitohen paratë, si disa kanë mundur të krijojnë ishuj luksi mes skamjes së përgjithshme. Vetëm imagjino, s’po të kërkoj shumë.
Matanë këtyre detajeve, thelbi, thelbi është koha se kur kjo rini e mirëshkolluar do të mund të gjejë forcën e nevojshme të kundërveprojë ndaj këtij realiteti mbytës, djegës për të shpëtuar njëherë e mirë Erin e qyteteve dhe fshatrave tona, për të shpëtuar veten e brezat nga kthimi i Shqipërisë sa një Beragozhd. E më shumë se dëshirë për një të nesërme më të bardhë, lypet vullnet, pasion, ideal, vendosmëri! Shqipëria është aty, në fshatin më të afërt brenda nesh, bosh, tek digjet nga flakët zhuritëse të pritjes.
Botuar te "Mapo"





