Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të vizitojë Tiranën më 14 shkurt, i cili do të ndalet në Shqipëri në kuadrin e një udhëtimi 5-ditor në Europë.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby, i cili shtoi se Kerry do të takojë përfaqësuesit qeveritarë të vendit tonë për të diskutuar mbi integrimin e mëtejshëm Euro-Atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh të Shqipërisë me SHBA-në.

Hera e fundit që një Sekretar Amerikan i Shtetit vizitoi Shqipërinë ishte më 1 nëntor 2012, kur ish-Sekretarja Hillary Clinton erdhi në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.