Ngjarjet kriminale të ditëve të fundit kanë rritur tensionet në sallën e Kuvendit mes ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe kreut të grupit parlamentar demokrat Edi Paloka. "Jepi përgjigje kryeprokurorit, zoti ministër, për ato bandat që po përleshen në Durrës, që ti i njeh shumë mirë. Jepi përgjigje kryeprokurorit që tha se ajo banda është e lidhur me zyrtarët dhe nuk e kapim dot, sepse po bëhet Durrësi si Kabuli dhe Shqipëria si Siria," – tha Paloka.
Teksa minsitri i brendshëm kërkoi që Partia Demokratike të ketë një qëndrim zyrtar për ish-ministrat e ish-zyrtarët e arrestuar, Paloka e cilësoi të turpshme praninë e Tahirit në sallë dhe kërkoi dorëheqjen e tij. "Është e turpshme që ky vazhdon të vijë në parlament njëherë, se vetëm me ato që po ndodhin në Shqipëri në këto muaj nuk duhet të ishte fare këtu. Nuk e di a kishin kamera në uniforma policie ata që vranë tre e plagosën gjashtë të tjerë. Këtë duhet të na thotë ky. Kush është kjo banda me uniformë policie që duket sikur zbaton porosi, këtë të na tregojë ky ministri. E jo të shesë dëngla këtu. Imagjino ç’kryeministër, nxjerr minsitrin e brendshëm të flasë për Ben Blushin. Nuk na duhet fare se ç’bëhet në partinë tuaj, janë punët tuaja. Ne kemi punë me votimet për shqiptarët," – tha Paloka.
Deklaratës së PD iu përgjigj kryeministri Edi Rama, i cili i bëri thirrje opozitës që të mos sulmojë Policinë. "Vazhdoni, bëni çdo ditë një fletërrufe kundër Policisë dhe ministrit të brendshëm. Është publiciteti më i mirë që ju i bëni faktit se jeni pa asnjë lloj boje. Ju s’dini ç’bëhet, se si bëhet, ju tregojnë përralla ata që keni mbi krye, nga lideri tek administratori i ndërmarrjes së falimentuar dhe vini këtu e recitoni përrallat e tyre," – tha Rama.
Marrë nga Top Channel





