Njëri nga zjarrfikësit që mori pjesë të martën në operacionin e shuarjes së flakëve në apartamentin te Unaza e Re dhe shpëtimit të të miturit, që për fat të keq humbi jetën nga zjarri, tregon se ai dhe kolegët bënë maksimumin, por ishte e pamundur që djali të shpëtohej.
Sipas tij, zjarri ka qenë shumë i fuqishëm dhe është përhapur me shpejtësi dhe kjo ka bërë që 4-vjeçari të mos mbijetonte dot.
Gazmir Muçollari, i cili pati edhe vetë probleme asfiksie gjatë operacionit, hedh poshtë pretendimet e banorëve, të cilët shpreheshin se zjarrfikësit kishin mbërritur më shumë se 30 minuta me vonesë.
Edhe kolegu i Muçollarit, Shkëlqim Muça, konfirmon të njëjtën gjë. Edhe ai mbeti i plagosur lehtë të martën gjatë ndërhyrjes në apartamentin e përfshirë nga flakët.
Në një prononcim për gazetën “Panorama”, zjarrfikësi Muçollari tregon momentin e ndërhyrjes dhe tentativën për të shpëtuar të miturin.
Sa keni vonuar për të shkuar në vendin e ngjarjes?
Kemi shkuar në vendngjarje për rreth 7 minuta, me gjithë trafikun që ishte. Banorët që ishin prezentë bërtisnin, “ka fëmijë brenda, ka fëmijë brenda”. Kemi shkuar direkt te vatra e zjarrit, por fatkeqësisht konstatuam që fëmija kishte ndërruar jetë.
Kishte persona të tjerë që rrezikoheshin nga flakët?
Tek një hyrje ishte një fëmijë i vogël me nënën e vet, i nxorëm në ballkon nga krahu tjetër, sepse kishte shumë tym në korridore.
Ju patët edhe vetë probleme gjatë operacionit, si jeni tani?
Asgjë me rëndësi. Për momentin jam mirë. Nuk janë dëmtime serioze. Më tepër janë dëmtime morale. Situata ishte e tillë që nuk kishte kohë për ta shpëtuar fëmijën. Zjarri ishte shumë i fuqishëm dhe në një kohë shumë të shkurtër. Flitet me sekonda. Kemi arritur në kohë rekord. Shpresoj që kështu situatash mos të ndodhin më, se edhe ne jemi njerëz e kemi ndjenja. / Panorama