Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka dalë sot kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për shkrirjen e Urgjencës Mjekësore të Tiranës. Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, personeli i Urgjencës Mjekësore të Tiranës do të shpërndahet pranë spitaleve të ndryshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë, Petrit Vasili është shprehur pikërisht kundër këtij vendimi, për shkak se personeli i Urgjencës Mjekësore të Tiranës, duke qenë një personel i kualifikuar prej vitesh, duhet ruajtur si e tillë, si një ekip. “Urgjenca është transformuar në një ekip profesionist dhe nuk mund të tjetërsohet,” – tha Vasili.
Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj e ka justifikuar këtë vendim me faktin se, në të ardhmen, do të ndërtohet spitali rajonal i Tiranës, që do të ketë edhe shërbimin e urgjencës. Ndërkohë, deri në atë kohë, shërbimin e urgjencës do ta ofrojë Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nëpër spitalet e saj të specializuara.