Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim gjatë paradites së sotme anëtarë të Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi, të cilët janë përfaqësues të disa prej kompanive më të rëndësishme që zhvillojnë aktivitetin në Maqedoni e Turqi.
Zgjerimi i hapësirave të bashkëpunimit ekonomik midis këtyre dy shteteve dhe Shqipërisë dhe nxitja e investimeve edhe më të mëdha në vendin tonë e konkretisht në Durrës, ka qenë fokusi i takimit. Përfaqësuesit e huaj, përveç interesimit për të investuar në vendin tonë, u shprehën edhe për një nxitje të investimeve të biznesit shqiptar në këto dy shtete, në kuadër të zgjerimit të hapësirave bashkëpunuese.
Dako deklaroi se përmirësimi i klimës së biznesit si dhe thithja e investimeve të huaja mbeten prioritetet më të rëndësishme të politikave të bashkisë së Durrësit, si një parakusht për zhvillimin e sipërmarrjes, krijimin e një ambienti të lirë konkurrues, zgjerimin e tregut dhe rritjen e punësimit.