Mimoza Hafizi i është rikthyer kritikave ndaj Edi Ramës. E lënë jashtë listës së deputetëve për vitin 2009, ajo ishte ndër kritiket kryesore të Ramës dhe kërkoi atëherë largimin e tij pas humbjes së zgjedhjeve.

Por më pas kandidimi i saj si e parë në qarkun e Shkodrës u duk se solli paqen mes tyre. Por dalja e Blushit tregoi se kjo paqe ishte vetëm sipërfaqësore.

TCH: Çfarë ju shtyu ju të mbështesni propozimet e Ben Blushit?

Mimoza Hafizi: Libri i rregullave të PS i cili thotë se zgjedhjet për kryetarin e partisë duhen bërë për çdo 4 vjet. Unë e kam diskutuar me shumë kolegë dhe nuk kam qënë dakord me këtë situatë.

TCH: Si do ta vijoni këtë mbështetje për Ben Blushin?

Mimoza Hafizi: Në mënyrën më normale brenda rregullave të partisë.

TCH: Të cilat janë?

Mimoza Hafizi: Të cilat janë një diskutim i vazhdueshëm me të gjithë kolegët edhe kërkesën që në rendin e ditës të kongresit të ardhshëm të futet edhe neni i zgjedhjeve për kryetar partie.

Hafizi shprehet e vendosur ta çojë deri në fund qëndrimin e saj pavarësisht kostove politike.

“Unë fatin tim personal nuk e kam të lidhur absolutisht me jetën politike. Unë kam edhe jetën universitare, por i besoj kauzës sime dhe lirisë sime për t'i thënë gjërat ashtu siç duhet. Po nuk folëm të gjithë bashkarisht, gjërat nuk ndryshojnë në Shqipëri. Nuk kam asnjë rrezik dhe kam ardhur në jetën politike për të sjellë më të mirën e asaj që bëj. Kështu, nuk ka asnjë rrezik për mua personalisht. Edhe po të kishte rrezik, ia vlen të ndërmarrësh një rrezik nëqoftëse ke besim te kauza jote”, thotë znj. Hafizi.

TCH: A ka deputetë të tjerë që e mbështesin kolegun Blushi brenda grupit parlamentar socialist?

Mimoza Hafizi: Unë besoj se do të ketë. Por gjithsecili shprehet vetë. 

Edhe në këtë pikë ajo duket se është dakort me Blushin.

Blushi: Ka edhe kolegë të tjerë që kërkojnë zgjedhje në parti

Ben Blushi paralajmëron se ka të tjerë deputetë që mendojnë si ai. Ai paralajmëron se shumë kolegë të tij do të kërkojë zgjedhje në parti.

“Unë them të presim së është shpejt deri më 19 Mars. Jam i bindur që ka shumë deputetë që do t’ju zhgënjejnë. Përfshi edhe kolegë të mi që do tju zhgënjejnë. Që do të thonë se duhet të ketë zgjedhje në parti. Do të zhgënjejnë të gjithë ata që thonë se jam vetëm unë. Në këtë sens e them”, thotë Ben Blushi.

Ahmetaj: Debati joreal, kongresi do të diskutojë piketat e zhvillimit të vendit

Arben Ahmetaj thotë se kongresi do të diskutojë piketat e zhvillimit të vendit, ndërsa debati për kryetarin është shterpë.

“Debati për kandidimin e kryetarit për kryetarin e partisë më duket jo real. Kongresi i PS më 19 mars është një kongres që kalon përtej mandateve. Është një kongres që do të shpalosë vizionin që ka të bëjë qoftë me integrimin europian të vendit, qoftë me përmirësimin ekonomik. Pra, debati nuk mund tëjetë ai debati i vogël i mandateve dhe kandidimeve, por një debat shumë më i madh”, ka thënë Ahmetaj.

Intervista është bërë nga Top Channel