Lëvizja Socialiste për Integrim është duke hartuar dokumentin final, që do i hapë rrugë zgjedhjeve në parti, nga kryetari deri tek strukturat bazë drejtuese të kësaj force politike. Luan Rama, sekretari i përgjithshëm i LSI, në një deklaratë për mediat, tha se “votimi për kryetarin e partisë do jetë i fshehtë, përmes parimit ‘një anëtar – një votë’.”

“Ky proces zgjedhor do të përfshijë të gjithë nivelet e partisë, që nga organizatat pranë qendrës së votimit deri tek Konventa Kombëtare dhe të gjitha strukturat e partisë, – tha Rama. – Votimi i fshehtë për të gjitha nivelet, kandidimi dhe konkurimi përmes parimit ‘një anëtar – një votë’ është konstante e pandryshueshme e LSI, sepse standardet dhe rregullat që normojnë mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve janë në edukatën e LSI dhe ne nuk i ndryshojmë kriteret sipas stinëve.”