Shtëpia e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në Gjirokastër, çeli dyert për vizitorët, shqiptarë dhe të huaj, tashmë si një objekt tërësisht i rikonstruktuar. Me statusin e monumentit të kulturës, shtëpia në lagjen “Palorto”, vjen në 80-vjetorin e lindjes së Kadaresë, e restauruar me mbështetjen teknike dhe financiare të UNESCO dhe Ministrisë së Kulturës.

Kjo shtëpi është listuar si një nga objektet më të vizitueshme gjatë sezonit turistik të kaluar edhe pse ka qenë në restaurim. Nga trajtimi arkitektonik, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë. Tani, shtëpia e Kadaresë do të jetë një qendër kulturore që do të menaxhohet në bashkëpunim nga Bashkia e Gjirokastrës dhe Ministria e Kulturës, si një rezidencë, një vend ekspozitash e muzike.

Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta dhe ministrja e kulturës Mirela Kumbaro morën pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku të pranishëm ishin dhe kryebashkiakja gjirokastrite Zamira Rami, familjarë dhe të afërm të shkrimtarit Ismail Kadare, si edhe personalitete të kulturës në vend.