“Mbroni shpellarin”, komedia amerikane për dy net zbret në Durrës nën regjinë e Inis Gjonit dhe nën aktrimin e aktorit të humorit Romir Zalla. Më 29 e 30 janar në orën 18:00, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, artdashësit e humorit kanë mundësinë të ndjekin një prej shfaqjeve hit jo vetëm në SHBA, e cila trajton luftën midis dy gjinive, burrave dhe grave.

Regjisorja Inis Gjoni tha për mediat se autori Rob Becker, sjell në doza të forta humori betejën e vazhdueshme midis burrit dhe gruas, dhe tenton të sjellë e të zgjidhë luftën mes gjinive, pse burrat bëjnë atë që bëjnë, në marrëdhëniet me gratë.   

Inis Gjoni thotë se kjo është një vepër që konsiderohet si terapi në çift, dhe aktori Romir Zalla e sjell në mënyrë të shkëlqyer.

“Romiri flet për marrëdhënien bashkëshortore, duke nxjerrë në pah rreziqet e të qenurit burrë e bashkëshort në ditët e sotme”.  

Kjo vepër është një paralelizëm analitik i meshkujve për të gjetur një gjuhë të përbashkët midis femrave dhe meshkujve.

Aktori Romir Zalla thotë se pas Durrësit, vepra do të udhëtojë në Fier, Strugë e qytete të tjera të vendit tonë.  Në vitin ’91, kjo komedi u vu në skenë për herë të parë në Broadway, dhe për 700 net rresht shfaqja është mirëpritur nga publiku. Zalla i fton të gjithë durrsakët të shikojnë shfaqjen gjatë fundjavës në teatrin e Durrësit. 

K.H.