Situata e krijuar brenda Partisë Socialiste, veçanërisht tani kur strukturat vendore janë duke zhvilluar zgjedhjet, është acaruar së tepërmi, aq sa deputeti Fatmir Toçi ka sulmuar deputetin tjetër Koço Kokëdhima, duke e quajtur “beu i jugut”.
Gazeta “Dita” raporton se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk kanë qenë prezent as deputeti Koço Kokëdhima dhe as kreu i socialistëve Edi Rama.
“Ai është kthyer në beun e jugut duke mos përfillur kolegët, madje nuk i fton në takime të zones, – tha deputeti Toçi, duke iu referuar Kokëdhimës. – Është bërë më keq se Ali Pashë Tepelena. Por, ndërsa Aliu e pushtoi jugun, Koços po ja falin. Nuk e di se kush, por po ja falin.”
Por, kreu i grupit Gramoz Ruçi ka thënë se nuk ishte etike që të flitej për deputetë që nuk janë të pranishëm.





