Në kushte “frigoriferike” dhe pa luksin për të pasur ngrohje të nëndheshme, ekipet e Altrincham dhe Bognor Regis Town duhet të vinin në punë imagjinatën e tyre për të bërë të mundur zhvillimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes. Me temperatura që shkonin rreth zero gradë celsius në afërsi të zonës bregdetare në jug të Anglisë, dy ekipet amatore duhet të përdornin një metodë të pazakontë dhe shumë origjinale për të shkrirë akullin në pjesët anësore të fushës së “Nyewood Lane”.

Teksa ekzistonte mundësia e anulimit të ndeshjes për shkak të akullit, gjashtë makina janë rreshtuar gjatë pjesës anësore të fushës duke mundësuar zhvillimin e ndeshjes. Ekipi i Altrincham postoi në “Twitter” foton e makinave një orë para se të fillonte ndeshja duke shtuar:

“Ka mundësi që të mos luajmë këtu në Bognor prej akullit, momentalisht janë gjashtë makina në fushë që po mundohen të shkrijnë sipërfaqen.” Ekipi mik kishte udhëtuar 800 kilometra për të luajtur dhe kurrsesi nuk deshën që ndeshja të anulohej. Fal makinave dhe rërës së vënë në disa pjesë të fushës ndeshja arriti të zhvillohej fatmirësisht për ta. Ndeshja u ndoq nga rreth 500 tifozë dhe mbaroi me rezultatin 2-1 për vendasit, të cilët mbetën shumë të kënaqur nga atmosfera e krijuar dhe niveli i ndeshjes.