Pas lajmeve për skandalin në tenisin profesionist, gjithçka përsa i takon trukimeve mbeti e pakonfirmuar. Edhe pse kishte paralajmëruar publikimin e provave dhe emrave të tenistëve të përfshirë në manipulimin e ndeshjeve, programi radiofonik i BBC nuk dha asnjë të dyshuar. Mungesa e emrave konkretë ishte një fakt që përflitej në të gjithë ambientin e Australian Open, mes profesionistëve, por edhe në institucionet e ATP-së dhe WTA-së.

Asgjë konkrete nuk doli nga zhurma e krijuar për trukime edhe në ndeshjet e “Grand Slam”-it, ku BBC dhe Buzzfeed akuzonin si të përfshirë 16 tenistë mes 50 më të mirëve në botë. Mungesa e emrave të sportistëve të përfshirë solli edhe reagimin e presidentit të ATP-së, Chris Kermode.

“Duhet të provoni se dikush është fajtor, pas gjithë akuzave që ngritët. Por, nëse ka vetëm sinjalizime për trukime të mundshme, kjo nuk do të thotë se rezultati i ndeshjeve është paracaktuar edhe në realitet”.

Informacionet rreth skandalit në tenis janë bazuar në raporte me emra sportistësh të akuzuar për manipulime në vitin 2007, pas duelit famëkeq ndërmjet Nikolay Davydenko dhe Vassallo Arguello. Edhe në atë rast, Njësia e Integritetit në Tenis nuk arriti të vërtetonte dyshimet, për shkak se provat ishin të pamjaftueshme.