Ndërsa janë duke vazhduar përgatitjet për ndeshjen e parë çerekfinale për Kupën e Shqipërisë ndaj Kukësit, e cila do të luhet të shtunën, më 23 janar, në stadiumin “Niko Dovana”, durrsakët e kanë mbyllur merkaton e dimrit për skuadrën e tyre. Këtë e shpreh edhe trajneri i “djemve të detit” Gugash Magani, i cili është i kënaqur me gjendjen e futbollistëve të tij. Edhe sulmuesi brazilian, Xhonatan Bernardo Mariano, i cili ka një CV të pasur, është bashkuar me skuadrën durrsake.

“Me ardhjen e brazilianit Xhonatan, ne kemi mbyllur merkaton. Praktikisht kemi një grup që nuk ka më nevojë për ndërhyrje. Skuadra është mirë dhe afrimet e bëra do ta ndhimojnë edhe më shumë grupin. Kemi vazhduar me strategjinë e lojtarëve të rinj, që kanë dëshirë dhe japin më të mirën e tyre në fushën e lojës. Ardhja e brazilianit i vë kapakun merkatos së Teutës dhe ditët në vazhdim do të shikojmë kualitetin apo dhe sa i dobishëm do të jetë sulmuesi, i cili vjen me një CV-i të pasur. Në ndeshjen e radhës me Kukësin mund të mos aktivizohet, pasi nuk dimë gjendjen fizike. Grupi është në formë të mirë, edhe pse gjithmonë ka nevojë për përmirësime, njëkohësisht ata duhet të jenë punëtorë në fushë”, ka deklaruar trajneri Magani.

Po dje, drejtuesit e klubit durrsak të Teutës, kanë prezantuar edhe mesfushorin Nijaz Lena, i cili do të jetë “10”-ta e re e skuadrës së “djemve të detit”, ndërkohë Florian Kadriu, i huazuar nga Tirana, është bashkuar më shpejt me durrsakët. Së bashku me sulmuesin 27-vjeçar, brazilianin Xhonatan Bernardo Mariano, këta janë edhe “3 moskëtirët” e rinj të Teutës, gjatë merkatos së janarit.