Fitorja e dytë radhazi me 5 gola të shënuar nën drejtimin e Zidane u ka dhënë vetëbesim lojtarëve të Realit të Madridit dhe u ka kthyer humorin. Këtë e tregoi edhe Cristiano Ronaldo në përfundim të takimit me Sporting Gijon, ku madrilenët fituan 5-1.
Portugezi ishte autor i një dopiete, ndërkohë që në fund të takimit iu kërkua prej gazetarëve një koment mbi deklaratën e Dani Alves pas ndarjes së çmimeve të Topit të Artë. Alves deklaronte se Ronaldo meritonte të ishte i treti, pas Nejmarit. Kjo nuk është pritur mirë për portugezin, që ka thumbuar me deklaratën e tij. “Kushdo që përmend emrin tim përfundon në faqet e para të gazetave ditën tjetër. Megjithatë, unë nuk bëj promocion falas”, u përgjigj ai.
Kjo deklaratë e asit portugez ka nxitur reagimin e mbrojtësit brazilian të Barcelonës. Përmes rrjeteve sociale ai ka publikuar një foto me të gjitha trofetë e fituar në karrierën e tij (dhe nuk janë pak) duke e shoqëruar thjeshtë me një Përshëndetje! për të gjithë fansat e vet.