Një skandal i ri pritet të trondisë sërish botën e sportit. Pas çështjes së dopingut në atletikë dhe manipulimeve në futboll, tashmë akuzat lidhen me tenisin. Gjithçka vetëm pak orë pas startit të Australian Open, turneu i parë i Grand Slam-it për vitin 2016.
Sipas dokumenteve konfidencialë të siguruar nga televizioni britanik, BBC dhe Buzzfeed, 16 kampionë të tenisit, që renditen mes 50 vendeve të para në botë, dyshohen se kanë manipuluar ndeshje në turnetë Grald Slam prej vitit 2003. Dyshime ka edhe për turnetë Roland Garros dhe Wimbledon, ku rezultati i të paktën tre ndeshjeve ka qenë i paracaktuar. Trukimet janë organizuar nga një rrjet bastesh të paligjshme në Rusi dhe në Itali.
Dokumentet janë pjesë e hetimeve të hapura nga Shoqata e Tenisit Profesionist prej vitit 2007 dhe që po shqyrtohen nga Njësia e Integritetit të Tenisit e krijuar posaçësisht për të hedhur dritë mbi këto akuza. Gjatë dekadës së fundit, autoritetet më të larta të tenisit botëror kanë sinjalizuar se rreth 16 sportistë të kësaj disipline dyshohen se kanë trukuar ndeshjet në mënyrë të përsëritur.
Gjithsesi, të gjithë tenistët e përfshirë në hetim, mes të cilëve edhe fitues të trofeve në Grand Slam, kanë vijuar të konkurrojnë deri në nxjerrjen e përfundimeve. Këtu lindin edhe akuzat për drejtuesit e tenisit, që nuk i kanë marrë parasysh sinjalizimet për trukime. Sipas BBC, në dokumentet e siguruara konfirmohet se si krimi i organizuar në Rusi dhe Itali ka përfituar qindra-mijëra euro me ndeshje të manipuluara, ku mes tyre disa janë luajtur edhe në Wimbledon.