Kolonia e shqiptarëve në Serinë A pritet të shtohet. Pas Berat Gjimshitit, edhe Mërgim Mavraj duket drejt transferimit në elitën e futbollit italian. Në një periudhë pauze përsa i takon futbollit ndërkombëtar, Gianni De Biasi vazhdon punën me intensitet të plotë.
Trajneri i Kombëtares është i angazhuar në mënyrë të drejtë për drejtë në merkaton e Janarit, për të ndihmuar lojtarët kuqezi të gjejnë klube të reja. Pasi ndikoi në kalimin e Arlind Ajetit te Frosinone dhe po punon pas kuintave për të finalizuar transferimin e Gjimshitit te Atalanta, De Biasi ka sponsorizuar edhe Mërgim Mavrajn. Tekniku italian këshilloi drejtuesit e Sampdorias, që të afrojnë në ekip mbrojtësin e Këlnit.
29-vjeçari është kthyer pas dëmtimit të gjatë dhe po vuan mungesën e hapësirave në klubin e Bundesligës. Në situatën e krijuar, Mavraj kërkon të largohet drejt një tjetër skuadre, për të luajtur me vazhdimësi në kuadër të Kampionatit Europian Francë 2016. Një shqetësim i përbashkët si ai i trajnerit të Kombëtares, që nga ana e tij po bën të pamundurën ta ndihmojë lojtarin ti bashkohet Sampdorias, me synimin që Mavraj të jetë në formë optimale për evenimentin më të rëndësishëm kontinental.
Gjithçka mbetet për t’u vendosur. Edhe për faktin se stafi teknik i Këlnit nuk dëshiron ta largojë shqiptarin. Kjo u konfirmua pak ditë më parë, kur klubi gjerman refuzoi ofertën e Munich 1860.