Teuta në volejboll për meshkuj po stërvitet maksimalisht në ditët e pushimit për të qenë e gatshme në fillimin e fazës tjetër të kampionatit kombëtar. Aktualisht durrsakët ndodhen në vendin e tretë, por sipas trajnerit Leonard Marangoni, mund të kishin bërë edhe më mirë. Marangoni thekson se ekipi i tij nuk do të pësojë shumë ndryshime në pjesën e mbetur të sezonit për mungesë donatorësh. Më tej ai analizon të tashmen dhe të ardhmen jo vetëm të ekipit të tij, por edhe të skuadrave të tjera.
“Aktualisht, ashtu si dhe ekipet e tjera, ne po përgatitemi për fazën tjetër të kampionatit. Kemi në dispozicion një minifazë dyjavore, ku do t’i japim rëndësi gjithçkaje, duke filluar nga ana fizike për të përfunduar te pjesa tekniko-taktike. Për mungesë donatorësh, ekipi do të mbetet pothuajse i njëjtë me atë të fazës së parë. Për arsye familjare do të na largohet Emiljano Istrefi, por që do të shohim mundësitë për ta zëvendësuar me ndonjë lojtar të denjë. Përgjithësisht jam i kënaqur me atë që bëmë dhe arritëm në fazën e parë. Pa diskutim duhet të kishim arritur edhe më shumë, por ndeshje të veçanta, si ajo me Elbasanin apo me Vllazninë, në të cilat ne kemi lënë pikë, na kanë penalizuar për të qenë më lart në tabelën e klasifikimit. Kjo nuk ka shumë rëndësi tani, pasi jemi brenda objektivave”, theksoi Marangoni, i cili tha më tej se skuadra e tij ka synim shumë të rëndësishëm edhe Kupën e Shqipërisë.
“Përveç kampionatit, ne jemi në një situatë të mirë edhe në Kupë. Këtë vit në gjysmëfinale do përballemi me Vllazninë dhe mendoj se kemi shanse reale për të bërë gjëra të mëdha”. Në fund, trajneri i Teutës dha një mendim edhe për kampionatin dhe rivalët duke theksuar se, për arsye të ndryshme, gara është bërë më interesante.
“Në pjesën e parë të sezonit ishim dëshmitarë të një kampionati më atraktiv se vitet e kaluara. Skuadrat mundnin njëra-tjetrën dhe nuk kishte një ekip të veçantë që shkëputej ndjeshëm nga të tjerët. Mendoj se skuadra model si Farka Volej kanë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Nga ana tjetër, Studenti në gjysmën e parë të sezonit nuk kishte shkëlqimin e viteve të fundit, duke bërë që gara të ishte më e fortë. Pavarësisht kësaj, mendoj se në pjesën tjetër të kampionatit skuadra e kolegut Ylli Tomorri do të rikthehet sërish dominuese, e ndihmuar nga ndonjë lëvizje e vogël në merkato”, theksoi trajneri Leonard Marangoni.