Rezultatet e dobëta të Manchester United bëjnë që trajnerin Louis Van Gaal ta tradhtojnë nervat edhe përpara gazetarëve. Disa javë më parë ai u largua nga konferenca e shtypit në shenjë proteste, por këtë herë ka shkuar edhe më larg, ai e ka cilësuar bullafiq gazetarin e “The Sun”, Neil Custis, pas pyetjes së këtij të fundit në përfundim të ndeshjes kundër Newcastle.
Gjithsesi, këtë herë trajneri holandez nuk ka mundur t’ia hedhë paq, pasi ka hasur në replikën e gazetarit, i cili ia ka kthyer me të njëjtën monedhë në një shkrim të publikuar disa orë më pas. Neil Custis, i është zotuar se do të nisë dietën për të humbur rreth 13 kg brenda muajit maj, duke e sfiduar Van Gal se ai duhet të grumbullojë 28 pikë në të njëjtën periudhë. Në fund, fituesit do t’i shkojnë 1 mijë pound, shumë e caktuar nga kompania e basteve Paddy Power të cilat do të dhurohen për bamirësi.
“Përpara së gjithash, faleminderit Louis që më vure në dukje çështjen e peshës sepse nuk e kisha vënë re më parë. Por tani që e bëre një gjë të tillë, të sfidoj që ti të grumbullosh 28 pikë deri në fund të majit”, shkruan gazetari i njohur.