Nijaz Lena është afrimi i parë i Teutës në merkaton e janarit. Dje erdhi edhe firma e mesfushorit, i cili bëhet pjesë e skuadrës së durrsakëve për 6 muajt e ardhshëm.
Këtë gjë e konfirmon vetë presidenti Edmond Hasanbelliu. “Lena mund të quhet afrimi më i ri”, theksoi shkurtimisht kreu i klubit. Ish-mesfushori i Flamurtarit është një njohje e vjetër e trajnerit Gugash Magani, madje ka qenë insistimi i tij që ai të afrohet tek Teuta.Ndërkohë në seancën e djeshme u pa dhe mesfushori serb Branislav Staniç, i cili prej disa ditësh është në grumbullim me ekipin e Teutës. Serbi ende nuk ka firmosur me skuadrën durrsake.
CV-ja e mesfushorit është e pasur, pasi ka luajtur për disa ekipe si Partizan Beograd, Hajduk Kula, Novi Pazar, si dhe Zlate Moravce në Sllovaki. Së fundmi, mesfushori ka qenë pjesë e ekipit Rad, që militon në Superligë. Në pjesën e parë të sezonit, Staniç ka luajtur vetëm gjashtë ndeshje si titullar. Pritet që ditën e sotme të merret vesh e ardhmja e tij, nëse do të jetë pjesë e skuadrës bregdetare. Dosti – Me ekipin po stërvitet dhe Albi Dosti, i cili i ndërpreu marrëdhëniet me skuadrën e Montanës. Ish-lojtari i Teutës ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, ndoshta në pjesën e dytë të kampionatit Dostin mund ta shikojmë si pjesë e “djemve të detit”. Kjo varet nga trajneri dhe stafi drejtues.
Stërvitja
Edhe pse reshjet e shiut janë të dendura, ekipi i Teutës vijon stërvitjen pa ndërprerje. Magani dhe stafi i tij i vazhdojnë përgatitjet si çdo ditë tjetër, ku nuk mungon ngarkesa.
Në ekip ka frymë pozitive dhe Magani me ndihmësit e tij janë të kënaqur nga paraqitja e skuadrës në ndeshjen kundër Partizanit. Skuadra u paraqit mirë, edhe pse vinte pas ngarkesave të larta stërvitore.