Dy shqiptarë, rezidentë në Italia, janë arrestuar nga autoritetet e vendit fqinj në Venecia, pasi u kapën me 52 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë. Të arrestuarit janë L. N., 36 vjeç, dhe L. D., 31 vjeç. Ata ishin në ndjekje, për shkak të lëvizjeve të dyshimta të një makine me pesë persona dhe të një tjetre me një person.
Mediat italiane raportojnë se, pasi dy shqiptarët kanë hyrë në shtëpinë e L. N., efektivat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë. Pas kontrollit në apartament, u gjetën dy çanta me 24 kg marijuanë në garazh dhe 28 kg të tjera në apartament. Gjithashtu, u gjetën dhe 24 karta identiteti të vjedhura që në vitin 2012 dhe të pa plotësuara. Ndërkohë, kontrolli i mëvonshëm në apartamentin e L. D. ka zbuluar edhe pajisje për kultivimin e bimës narkotike.





