Teuta ka shfaqur tjetër fytyrë këtë sezon futbollistik respektivisht sa u përket dy javëve të para të kampionatit. Durrsakët kanë mbyllur fazën e dytë në vendin e tretë të klasifikimit me 30 pikë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të sezonit të shkuar kishte 14 më pak, pra 16 pikë dhe pozicionoheshin të tetët. Vetëm në harkun e një viti, durrsakët kanë pësuar transformim total, duke siguruar 9 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje, ndërsa vjet kishin marrë vetëm 5 fitore, humbur 12 ndeshje dhe barazuar vetëm 1.

Këtë edicion, në 18 ndeshje, kanë shënuar më pak në fakt, por kjo nuk ka ndikuar në rezultate. Në sezonin 2014-2015 patën realizuar 28 gola (5 herë i shënuan vetëm Elbasanit) dhe pësuar 14, ndërsa në dy fazat e para të 2015-2016 e kanë dërguar 21 herë topin në rrjetë dhe kanë pësuar 16.

Nën drejtimin e Maganit, skuadra është super dhe nga një skuadër që rrezikonte mbijetesën, tashmë është në garë për një vend në Europë. Mund të konsiderohet edhe surpriza e kampionatit, pasi në këto dy faza të luajtura kanë lënë pas vetes ekipe që kanë shpenzuar shuma marramendëse në merkato si Tirana, Flamurtari dhe Kukësi. Përmbyllja e vitit 2015 u shoqërua me një fitore të madhe, ndaj Partizanit pretendent. Ndërsa 2014-a solli “shpërfytyrimin” e durrsakëve me një humbje 2-4 ndaj Tiranës (që asokohe në fakt drejtohej nga Gugash Magani, trajneri aktual i Teutës).