Gjatë vitit 2016, në portin e Durrësit priten të mbërrijnë 22 kroçera me kapacitet nga 550-1500 udhëtarë. Bashkë me to do të ankorohen edhe disa velierë luksozë, që prej disa vitesh ndalojnë në portin më të madh të vendit.
Nga të dhënat e agjencisë së specializuar Intermed Shipping, kroçerat që kryejnë ture adriatiko-joniane do të prekin portin e Durrësit nga 26 marsi deri më 19 nëntor të këtij viti.
Nga të njëjtat burime, mësohet se kroçerat e parashikuara kanë gjatësi nga 140 deri në 215 metra. Pjesa dërrmuese e tyre si “MS Berlin”, “Thomson celebration”, “MS Sirena”, “MS Explorer”, “MS Albatros” dhe “MS Seven Seas Navigator” do të lundrojnë për herë të parë drejt Durrësit, duke kryer 18 nga 22 lundrimet.
Në 2015-n, mbërritën 12 kroçera dhe velierë luksozë me 8227 turistë
Gjatë vitit 2015, në Durrës kanë mbërritur 12 kroçera dhe velierë luksozë me 8227 turistë gjithsej. Në vitin që lamë pas, në Durrës u ankoruan më pak anije turistike, ndërsa numri i udhëtarëve ishte afro 44 për qind më i lartë se sa në vitin 2014.
Pjesa më e madhe e kroçerave të këtij viti kanë lundruar drejt Durrësit në kuadër të tureve mesdhetare, ku përfshihen portet e Shqipërisë, Italisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Greqisë.





