Pas shfaqjeve në skenën e teatrit ''Aleksandër Moisiu" në Durrës, drama “Kush e solli Doruntinën” do të jetë në një tjetër skenë më 23 janar. Bazuar në veprën e Ismail Kadaresë me regji nga Laert Vasili, pjesa shqiptare merr pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe Flaka e janarit në Gjilan, Kosovë. Pasi u shfaq me sukses në skenën e Durrësit, shfaqja teatrore këtë herë do të përcjelle emocione në një tjetër skenë, ku publikun kosovar do të ndjekë një lojë të mrekullueshme të aktorëve më të njohur, ikona të teatrit në vend, por dhe të rinjve të talentuar.

Në rolin e Zonjës Mëmë, regjisori Laert Vasili ka kthyer aktoren e madhe të skenës Margarita Xhepa, e cila e ka interpretuar më parë këtë personazh që dallohet për nga dramaciteti i fortë. E sjellë nën një koncept të ri regjisorial, Bujar Lako vjen në petkat e kryepeshkopit, ndërsa Viktor Zhusti luan në rolin e murgut mashtrues i ngarkuar nga kleri për të pranuar autorësinë e prurjes së Doruntinës. Konstandini interpretohet nga aktori Amos Zaharia, ndërsa Doruntina i është besuar aktores Luli Hoxha. Në role të tjera vijnë Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Eralda Caushi, Gjergj Doçi e Xhejni Fama.

Pas Gjilanit, regjisori Vasili ka bërë të ditur se shfaqja do të jetë dhe në skenën e Tiranës, si pjesë e festimeve që do të jenë për 80-vjetorin e Ismail Kadaresë. Nga data 28 deri më 31 janar, shfaqja do të jetë në skenën e Universitetit të Arteve në Tiranë.