Policia e Sarandës ka sekuestruar 76 kilogramë lëndë narkotike dhe ka bërë të mundur arrestimin e dy poseduesve të saj, Taulant Lamaj 32 vjeç, dhe Olgert Lamaj 33 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Arrestimi i tyre u bë në aksin rrugor “Çorraj-Borsh”, pas informacioneve që strukturat e policisë kishin marrë në rrugë operative se dy të rinjtë do të transportonin një sasi lënde narkotike nga fshati “Kuç” i Vlorës, në drejtim të qytetit të Sarandës dhe më pas me destinacion final në shtetin grek. Gjatë kontrollit të automjetit të tyre, dy të rinjve iu gjet edhe një automatik.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 76 kg lëndë narkotike kanabis sativa,
– 2 automjete (“NISAN” dhe “BMW-X5),
– 1 armë zjarri të llojit “Automatik” model 56.