Vazhdon të jetë në arrati shqiptari që vrau gruan greke dhe rrëmbeu djalin e mitur pas krimit.

Teksa policia greke është vënë në ndjekje këmba­këmbës ndaj shqiptarit që vrau 4 ditë më parë gruan greke me thikë dhe u zhduk më pas nga banesa bashkë me djalin e tyre të mitur, detaje të tjera bëhen me dije nga mediat greke.

Rezulton se në momentin që ka ndodhur ngjarja, djali i tyre i vogël ka qenë i sëmurë.

Sipas informatave nga “Smile of the Child”, organizata ka dhënë alarmin për zhdukjen e djalit dhe ka publikuar fotot e të dyve, për kapjen sa më të shpejtë, mësohet se ditën e vrasjes djali i vogël kishte qenë me temperaturë të lartë.

Autoritetet kanë shpresa se 34- vjeçari Klodi Lesi nuk ka pasur kohë për t’u larguar nga vendi.

Duke folur për protothema.gr kryetari i Shoqatës “Smile of the Child” Konstantinos Giannopoulos ka shprehur shqetësimin për faktin se shqiptari 34-­vjeçar mund të dëmtojë edhe djalin në gjendjen në të cilën tani ai është.

“Nuk ka shumë informacione dhe është shqetësuese sepse mund të dëmtojë edhe fëmijën dhe veten e tij për shkak se mendja e njeriut në momente të tilla nuk arrin të llogjikojë”, tha Giannopoulos.

Policia greke ka ngritur alarmin dhe ka ftuar të gjithë qytetarët që nëse shohin ndonjë shenjë nga vrasësi shqiptar dhe djali i tij i vogël të njoftojnë menjëherë.

Autoritetet thonë se 34-­vjeçari është person i rrezikshëm dhe ndoshta edhe i armatosur. Ai ka një dosje penale në lidhje me akuzat për posedimin e armëve dhe drogës.