Një minorene 16-vjeçare, i dashuri i saj dhe dy shokë të tyre kanë vjedhur një total prej 112 mijë eurosh, bizhuteri floriri dhe pajisje elektronike në vilën e një biznesmeni në kryeqytet.

Paratë dhe sendet me vlerë janë vjedhur në dy episode të ndryshme, përkatësisht 15 dhe 95 mijë euro në janar-shkurt të vitit 2015. Në një prej rasteve, autorët janë futur “si zotërinj” në banesën e të shenjestruarit përmes derës kryesore. Ata kanë përdorur një çelës që ishte siguruar nga e mitura. Ajo i kishte bërë një kopje, fshehurazi, çelësit që mbante pastruesja e banesës, të cilën e kishte kushërirë.

Për vjedhjen e dytë, ata janë futur nga një derë ballkoni e lënë hapur, ndërkohë që e mitura dhe i dashuri i saj kanë bërë roje.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj tyre. Ata u shpallën të fajshëm për veprat penale të vjedhjes me dhunë dhe vjedhjes dhe u dënuan në total me 36 vjet heqje lirie. E mitura u fajësua edhe për moskallëzim krimi dhe përvetësim të parave apo mallrave që rrjedhin nga vepra penale.

Të pandehurit përfituan uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në momentin që policia ka shkuar në banesën e njerit prej të pandehurve, nëna e Elton Muçës, Hajrie Muça, ka marrë menjëhërë nga lekët e vjedhura, rreth 19 mijë euro dhe i ka fshehur në trup. /Panorama