Prokuroria e Vlorës dyshon se motivi i vrasjes së Andrea Billës, 36 vjeç, i njohur ndryshe me emrin Reagim Meli, ka lidhje me një rrjet të trafikut të drogës Marok-Spanjë. Sekuestrimi i një ngarkese droge prej 300 kg kanabis sativa në muajin gusht në Spanjë, duket se është bërë shkak për ekzekutimin e Billës. Në lidhje me këtë ngjarje, policia e Vlorës ka shoqëruar dhe marrë në pyetje për disa orë 10 persona, të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin ku u ekzekutua babai i tre fëmijëve. Ndërkohë, mësohet se Prokuroria e Vlorës u ka kërkuar informacion të detajuar autoriteteve spanjolle në lidhje me aktivitetin e viktimës në këtë vend.
Ngjarja
Billa u qëllua për vdekje me një pistoletë tip “TT” nga dy persona dhe në një distancë prej 2 m. Vrasësit i zunë pritë në hyrjen e banesës të pallatit, ku banonte familja e tij në lagjen “Rilindja”. Në momentin kur Andrea Billa ka mbërritur me makinë dhe ka dalë nga mjeti, agresorët i janë afruar dhe e kanë qëlluar shumë afër me pesë plumba, dy në kokë dhe tre në trup. Mendohet që ekzekutimi është kryer nga vrasës profesionistë me pagesë.





