Një aksident rrugor i regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje në rrugën e Rinasit, në afërsi të Fushë Krujës, i ka marrë jetën njërit prej dy drejtuesve të mjeteve që u përfshinë në përplasje me njëra-tjetrën.
Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të lagështisë në rrugë dhe shpejtësisë, ndërkohë që nga përplasja mbetën të plagosur të dy drejtuesit e automjeteve Ford, me targa AA 686 IT, dhe Benz, me targa AA 937 BK.
Njëri prej tyre nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që për të nuk dihet ende identiteti. Dihet vetëm që ai ishte drejtues i mjetit tip Benz.
Policia mbërriti në vendngjarje dhe nisi hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërkohë që edhe i plagosuri tjetër në gjendje të rëndë është transportuar për në spital.





