KLSH kallzon penalisht drejtorin dhe ish-drejtorin e spitalit rajonal Durrës me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Sipas KLSH-së, dëmi ekonomik i konstatuar llogaritet në 3.39 milionë lekë. KLSH ka konstatuar se në spitalin rajonal në Durrës përdorimi i procedurës “Negocim pa njoftim paraprak” në shkelje të dispozitave ligjore në 23 raste në 2014 për 68 milionë lekë.
“Referuar gjetjeve kryesore të auditimit, të evidentuara në mënyrë më të detajuar në Raportin Përfundimtar të KLSH-së, dëmi ekonomik i konstatuar arrin në shumën 3,390,759 lekë. Më konkretisht nga auditimi rezultoi që nga ana e titullarëve të institucionit:
ishin lidhur një sërë kontratash pa kryer paraprakisht procedurat e nevojshme ligjore që duheshin ezauruar përpara lidhjes së tyre,
ishin lidhur njëra pas tjetrës dy kontrata shtesë mbi kontratën bazë,
ishin lidhur kontrata shtesë pa patur paraprakisht në dispozicion burimet e financimit,
ishin kryer keqinterpretime të qëllimshme të legjislacionit mbi prokurimet për të justifikuar aplikimin e procedurave të prokurimit “Negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”, shpesh herë brenda vitit financiar, me synimin e shmangies së konkurrencës dhe favorizimin e operatorëve të ndryshëm ekonomik”, thuhet në njoftimin e KLSH.
Gjithashtu nga auditimi rezultoi që shtesat e kontratave të lidhura për vitin 2013 dhe 2014, si dhe të gjitha procedurat e realizuara “Me negocim pa shpallje” për vitin 2013 dhe 2014 për kërkesat e bëra për medikamente, materiale mjekimi, kite dhe reagente, për kancelari dhe materiale pastrimi si dhe nevojave për mirëmbajtje nuk argumentoheshin në bazë të bilanceve materiale për gjendjen e mallrave në magazinë, konsumet mesatare mujore, si dhe domosdoshmërinë për kryerjen e shërbimeve e tjera. Për rrjedhojë këto shtesa kontratash janë kryer në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar si dhe Urdhrin e Ministrisë së Financave nr. 33, datë 11.07.2013 “Për gjurmët standarde të auditimit për prokurimin me vlerë të vogël e të lartë”.
Shmangia e procedurave standarde të prokurimit, me pretekstin e nevojave emergjente, ka cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera si dhe ka krijuar premisa për shmangien e konkurrencës dhe pengimin e hyrjes në tregun e blerjes së medikamenteve, materialeve mjekësorë dhe mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore, të shumë operatorëve ekonomike të tjerë ekonomikë.
Nga auditimi rezultoi se Spitali Rajonal Durrës ka blerë dhe është furnizuar me medikamente dhe materiale mjekimi vetëm nga një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë, të cilët kanë patur dhe kanë kontrata furnizimi në mënyrë permanente me Spitalin Rajonal Durrës.
Në të gjitha blerjet e realizuara gjatë vitit 2014 me procedurën “Negocim pa njoftim paraprak” në 23 raste me fond limit prej 68,999,187 lekë dhe vlerë të kontratave të lidhura prej 66,745,833 lekë, ose me një raport ndërmjet vlerës së kontratave dhe fondit limit prej 96.7 %, kanë rezultuar shkelje të dispozitave ligjore të përcaktuara në legjislacionin e prokurimit publik.
Si pasojë e përdorimit të procedurës “Negocim pa shpallje”, ka rezultuar një tejkalim i shpenzimeve me një efekt negativ prej 4,6 milion lekë në vitin 2013 dhe 11,6 milion lekë për vitin 2014.
Vetëm për vitin 2014, Spitali Rajonal Durrës për nevojat e fillim vitit ka realizuar 32 shtesa kontratash me vlerë 18,159,484 lekë.
Nga auditimi i mënyrës së përdorimit të të ardhurave dytësore, rezultuan tejkalime në zërat shpenzime dhe investime në kundërshtim me nivelin e shpenzimeve sipas Vendimeve të Bordit Drejtues të Spitalit, ndërsa në dosjet e aseteve të dhëna me qira për vitet 2013-2014, mungonte procedura e ndjekur dhe dokumentacioni i nevojshëm që kërkohet sipas përcaktimeve të bëra në VKM nr. 529, datë 08.06.2011 dhe VKM nr. 54, datë 05.02.2014, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”.
Gjithashtu, shkelje të shumta u konstatuan edhe në procedurat për blerje; “Kateringu (Furnizim me ushqime)”; “Blerje naftë D1 me tollon dhe bot”; “Blerje e shërbimit të Ruajtjes me Roje Private”; “Blerje materiale pastrimi”; “Riparime investime si dhe Blerje pjesë këmbimi për automjete”, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 33, të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar.
Bazuar në shkeljet e konstatuara, KLSH, mbështetur në nenin 15, të Ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, nenin 37 të Ligjit nr. 7691, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Spitalit Rajonal Durrës znj. A.F. si dhe dhënien e masave përkatëse disiplinore deri në largim nga detyra për punonjësit e konstatuar me shkelje në Raportin e Auditimit, duke i përcjellë gjithashtu organit të Prokurorisë, me shkresën nr. 107/26, datë 17.12.2015, kallëzimin penal për Drejtorin A.F. dhe ish-Drejtorin T.B. të Spitalit Rajonal Durrës, me akuzën e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, së bashku me materialet përkatëse të dosjes së auditimit.