Olti Curri, për tekstin e këngës ‘Me dorën shtrirë’ është shpallur tekstshkruesi më i mirë i vitit 2015. Sajti Teksteshqip.com ka përzgjedhur 10 tekstet më të mira të vitit, në bazë të votimit të jurisë profesioniste dhe publikut.
‘Duke falenderuar votuesit, jurinë profesioniste dhe stafin e "Teksteshqip.com" due të ndaj me ju këtë mesazh që më mbërriti inbox : Përshëndetje, na fal për pengesen por deshëm të të njoftonim që teksti "Me dorën shtrirë" i shkruar nga ju është shpallur fitues i konkursit. Konkursi eshte bazuar ne klikime dhe ne nje juri profesioniste. Sot publikut shqiptar i mungojnë tekstet e mirëfillta dhe nuk kanë shumë interes për to por me mundësitë tona realizuam për të 3-tin vit radhasi një iniciativë sado të vogël për të vlerësuar tekstet. Në top 10 është dhe teksti "Mëkat" i Teuta Kurtit kështu që është një tjetër sukses për ju.’, shkruan Olti Curri në Facebook. Kënga me tekstin e tij, ‘Me dorën shtrirë’ është kënduar nga Albërie Hadërgjonaj në Këngën Magjike, ku edhe u vlerësua me çmimin e kritikës.
Juria ka qenë e përbërë nga Arben Duka, Aida Shtino, Denisa Gokovi, Eraldo Rexho dhe Shkumbin Kryeziu. Në vend të dytë është renditur kënga ‘14’ e Besa Kokëdhimës, me tekst nga Alex, ndërsa në vend të 3të, ‘Kënga e fundit’, shkruar dhe kënduar nga Endri Prifti, gjithashtu pjesëmarrëse në Këngën Magjike. Qëllimi i këtij konkursi është, siç shkruhet në sajt, vënia në pah e teksteve për të drejtuar vëmendjen e publikut drejt këngëve tekstet e të cilave meritojnë të lexohen. Teksti i ‘Me dorën shtrirë’ u kushtohet lypësve të varfër, fëmijëve të cilët janë të lindur pa fëmijëri:
‘ (pjesë nga teksti)‘Çdo ditë të shoh /Në një cep të rrugës jeton / Dora pret mëshirë /Ëndërrat të kanë ngrirë… / Ndjehem pa forcë / Ajo që ty të fal, s'të mjafton. /Fatet kur janë shkruar /Qielli ka gabuar… Pak monedha për të shuar,/ ty urinë. / Me dorë zgjatur /po kalon ti fëmijërinë…