Dymbëdhjetë vjet më parë, familja i ka gjetur burrë. Martesa me Arjan Lakon nga qyteti i Korçës i ka rezervuar një fat mizor 40-vjeçares nga Durrësi. Valbona Lako, nënë e tre fëmijëve, dje pohoi se jeta e saj është ferri vetë dhe se trupi i saj është gjithë shenja nga dhuna barbare e të shoqit. “Që prej 8 vitesh rrihem pa mëshirë nga burri im. Ai më gjuan me çfarë të ketë në dorë. Shumë herë më ka bërë edhe për spital, ndërsa këmbën e kam të thyer nga dhuna. Ai është aq i pashpirt, sa dhunon edhe fëmijët e tij. Kam bërë disa herë denoncim në polici, por e shoqërojnë dhe e lënë të lirë. Dhe unë nuk di çfarë të bëj. Nuk kam ku të shkoj. Jam e papunë dhe nuk kam një strehë ku të fus kokën. Ndaj jam detyruar të jetoj si kafshë dhe të duroj dhunën ekstreme për hir të fëmijëve të mi të mitur (përkatësisht 5, 8 dhe 11 vjeç)”, tha 40-vjeçarja.

Por kjo nuk është e gjitha! Familja Lako jeton në varfëri ekstreme në një shtëpi të rrënuar në lagjen nr.1 të qytetit juglindor. “Unë dhe fëmijët e mi të sëmurë jetojmë më keq se kafshët. Fëmijët nuk e kanë provuar ndonjëherë ujin e ngrohtë. I laj me ujë të ftohtë, sepse s’kam ku ta ngroh. Energjinë elektrike ma kanë ndërprerë, pasi nuk kam paguar. Nuk kam para të ushqej fëmijët. Dhe rrobat për ta m’i falin fqinjët. Unë jam për t’u mbytur. Më dhemb shpirti kur i vë në gjumë me barkun bosh (qan). Jeta për mua ka qenë mallkim, pasi nuk kam parë një ditë të mirë, por vetëm vuajtje”, u shpreh Valbona Lako. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ajo pohoi se nëse e ndihmojnë të gjejë një strehë, do të mund t’i shpëtojë dhunës së përditshme.

Valbona, prej sa kohësh dhunoheni nga bashkëshorti juaj?

Unë jam martuar 12 vite më parë. Kam lindur në Durrës, por jam martuar në Korçë. Familja ime më gjeti, më fejoi me shkesi. Në fillim ishim mirë, ndërsa më pas ai filloi të më dhunonte. Unë jetoj në kushte shumë të vështira dhe nuk kam asnjë të ardhur. Përveç kësaj duhet të duroj edhe dhunën e burrit tim. Ai nuk punon, por edhe ndonjëherë kur gjen punë, lekët i prish në kumar. Vjen në shtëpi bërtet dhe më godet me çfarë të ketë në dorë. Unë jam e sëmurë me veshka, migrenë, ndërsa këmbën e kam të thyer nga dhuna. Kam 8 vjet që duroj dhe goditem në mënyrë mizore. Çfarë të bëj?! Ku të shkoj?! I kam fëmijët të vegjël, prandaj kam duruar dhunën deri tani.

Pse ushtron dhunë bashkëshorti juaj?

Ai e di që unë s’kam ku të shkoj dhe bën si i do qejfi me mua. Më godet edhe për fjalën më të vogël, madje jo vetëm mua, por edhe fëmijët që kanë gjakun e tij. Nuk do t’ia dijë për ta, por u gjuan me gjithë forcën. Burri qëndron gjithë ditën rrugëve. Nuk punon dhe kur vjen në shtëpi kërkon ushqimin ta ketë gati. Unë s’kam çfarë të gatuaj, s’kam asgjë çfarë t’i jap atij. Nëse nuk i bëj drekën apo darkën, më godet si i çmendur. Unë qaj fshehtas, pasi nuk dua të më shohin fëmijët, të cilët janë shumë të frikësuar nga dhuna që ushtron babai i tyre.

A e keni denoncuar bashkëshortin tuaj në polici për ushtrim dhune?

Kam bërë denoncim në policinë e Korçës dhe kam treguar me detaje çdo gjë, por pasi e kanë shoqëruar, e kanë lënë të lirë. E kam denoncuar disa herë për dhunën ndaj meje, por edhe ndaj fëmijëve. Gjithnjë është lënë i lirë, pasi të afërmit e tij kanë paguar lekë në prokurori. Im shoq është i pashpirt. Kur nuk ndjen dhembshuri për fëmijët e tij, si mund të ndjejë për mua?! Ne nuk kemi shtet, as polici. E kam parë që nuk e dënojnë, ndaj zgjidhja e vetme është të duroj dhunën. Nuk kam zgjidhje tjetër, sepse s’kam ku të shkoj. Familja ime jeton larg dhe nuk kanë lekë për vete dhe jo të më mbajnë edhe mua.

Po fëmijët, e kanë parë babanë e tyre kur ju dhunon?

I kanë parë të gjitha skenat e dhunës. Edhe pse janë të vegjël, i thonë: ‘Mos e godit mamin, se do të të rrahim edhe ne ty’ (qan), por ai s’do t’ia dijë. Djali i madh pësoi një aksident disa vite më parë dhe aktualisht nuk është në gjendje të mirë shëndetësore nga goditja që iu shkaktua. Djali 8 vjeç ka probleme në zemër. Ai qan natën, se është i frikësuar nga i ati. Ndërsa, vajza e vogël 5 vjeçe vuan nga astma dhe ka probleme në mushkëri nga lagështia. Kjo për shkak se fëmijët flenë në tokë. Jeta ime është e shkatërruar, por jetoj vetëm për të rritur fëmijët. Duroj dhunën, sëmundjet dhe varfërinë për ta.

A keni kërkuar ndihmë dhe çfarë ju kanë thënë?

Kam shkuar te Bashkia e Korçës për të më gjetur një strehë ku të fus kokën, por kam 8 vjet që kam aplikuar dhe deri tani nuk është bërë asgjë. Mbijetoj me 52 mijë lekë të vjetër që marr ndihmë ekonomike. Me lekët që marr paguaj energjinë elektrike. Muajin e fundit nuk e pagova, pasi bleva ilaçet e fëmijëve, ndaj dhe më prenë dritat. Aktualisht përdor qirinjtë. Unë nuk punoj dot për shkak të sëmundjes që më ka mbërthyer disa vite më parë, ndërkohë që tre fëmijët janë të mitur dhe duan përkujdesje për shëndetin e tyre. Nëse do më gjenin një strehë, jeta ime do ndryshonte krejtësisht, pasi do jetoja vetëm me fëmijët dhe do shpëtoja nga dhuna ndër vite. Për shkak të dhunës, në çdo pjesë të trupit kam nga një shenjë.