Flota Detare ka kremtuar 90-vjetorin e krijimit të saj, në një ceremoni të zhvilluar në portin e Durrësit. Ish-komandantë të kësaj flote në dekada, ushtarakë në detyrë e në lirim, dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli kanë marrë pjesë në ceremoninë e zhvilluar në kalatën numër 4 të portit detar të Durrësit. Fjala e rastit u mbajt nga ministrja Kodheli, e cila i bëri një rezyme gjendjes së Ushtrisë dhe Flotës detare të Republikës së Shqipërisë, përkrah vendeve të NATO-s ku bën pjesë.
Në ceremoni morën pjesë edhe 2 atashetë ushtarakë të Turqisë dhe të Kosovës, të cilët së bashku me pjesëmarrësit e ceremonisë kanë vizituar anijen e rojës bregdetare “LISUS”.
Flota Shqiptare ka në organikën e saj 4 anije të tilla, të cilat do jenë anijet “flamurtare” te FD. Anija e parë u pagëzua me emrin ILIRIA, u ndërtua në Holandë dhe iu dorëzua palës shqiptare në gusht të vitit 2008. Tri anijet e tjera quhen (ORIK, LISSUS, BUTRINT) .
Pjesë e flotës janë edhe Motovedetat e tipit Archangle. Këto motovedeta janë dhuratë e Kongresit Amerikan për Shqipërinë në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe kanë hyrë në organikën e FD-së në vitin 2010.
FD ka në inventarin e saj edhe 2 anije antindotje të dhuruara nga shteti italian në vitin 2008. Anijet kanë sisteme moderne të izolimit dhe mbledhjes së lëndëve të dëmshme për mjedisin detar si edhe sistem për luftën antizjarr.
K.H.





