U mbajt sot protesta e radhës nga opozita përpara parlamentit, e cila kishte si qëllim kundërshimin e qeverisjes Rama-Meta dhe largimin e tyre nga pushteti. Ndonëse ishte një protestë kryesisht me të rinj të FRPD-së dhe jo në përmasat e dy protestave të fundit, tubimi i sotëm është parë edhe si një parlajmërim për ndryshim të aksionit opozitar në muajin janar.
Të paktën këtë të lë kuptosh fjala e mbajtur sot nga kreu i PD-së përpara protestuesve. Basha foli për ngritje të barrikadave në zyrat shtetërore, të Kryeministrisë, ministrive e kudo ku është denoncuar korrupsioni gjatë kësaj kohe.
“A jemi gati? A jeni gati rini? A jemi gati t’i bëhemi barrikadë e pakalueshme korrupsionit në zyrat e kryeministrit, ministrave, kudo ku gjendet ? A jemi gati ta kthejmë në një ferr të vërtetë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë të çdo të korruptuari në Republikën e Shqipërisë? Atëherë ju ftoj që të gjithë bashkë të bëhemi pjesë e këtij aksioni të madh qytetar e politik. Korrupsioni nuk duhet vetëm të ndëshkohet nga ligji. Prej 1 janarit qytetarët shqiptarë do ta arrestojnë korrupsionin në rrugë, në sheshe e kudo”, u tha Basha protestuesve.
A janë këto fjalë të Bashës paralajmërim për një strategji të re opozitare në fillim të vitit tjetër? A do të ketë barrikada me protestuesit e opozitës në ato zyra të ministrave dhe funksionarëve që janë akuzuar nga opozita dhe media për korrupsion? A të bllokohet hyrja nëpër zyra e ministrave të akuzuar për korrupsion? Përmendim këtu për shembull ministrin e Shëndetësisë që ka qenë një prej më të akuzuarve apo edhe ministrin e Brendshëm.
Sipas Bashës janari do të jetë aksioni më masiv antikorrupsion, aksioni më masiv politik dhe qytetar në këto 25 vite.
Ndërkohë edhe opinionistë të ndryshëm në media parashikojnë një përshkallëzim të qëndrimit opozitar në muajin janar. Mbetet për t’u parë se çfarë konkretisht do të bëjë PD-ja, për të përmbushur objektivin e saj politik: Largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një kabineti teknik që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.