Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka bërë një deklaratë të fortë sot sa i takon shkaqeve të rënies së kësaj partie nga pushteti në vitin 2013. Në një fjalim në Parlament ai tha se mërzitja, burokracia dhe korrupsioni bënë që PD-ja të dilte në opozitë.  

“Çdo shqiptar që beson Ramën dhe është i ndershëm ka një problem, nuk mund të jetë inteligjent se nuk je i ndershëm dhe të besosh te Rama. Çdo shqiptar që beson te Rama dhe është inteligjent i bie të mos jetë i ndershëm. Dhe çdo shqiptar i ndershëm e inteligjentë nuk e beson kurrë Ramën sepse nuk besohet”, tha Ristani, citon Panorama.

Sipas tij “shqiptarët nuk e kanë besuar Ramën, as para 2013, as pse do u hapte 300 mijë vende pune e do tu jepte legalizime e shëndetësi falas. Shqiptarët donin ndryshimin, ishte legjitim për shkak të mërzitjes, burokracisë së fryrë dhe të korruptuar të atyre 8 viteve. Por Ramën nuk e besuan, se pas zgjedhjeve nuk iu dhanë vende më shumë në kuvend se para 8 vitesh”.