Martin Cubi, i zgjedhur nga Rama si drejtues i PS-së së Shkodrës, hedh poshtë akuzat e PD-së. Ai tha sot se ka qëlluar për vetëmbrojtje ndaj një personi që e plagosi rëndë. “Asnjë qytetar i këtij vendi nuk më njeh si person me rrezikshmëri shoqërore, por përkundrazi duke qenë prej 15 vitesh kryetar i komunës Pult në Dukagjin, një zonë që persekutohej nga Partia Demokratike pasi votonte majtas, kam qëndruar pranë komunitetit ne zgjidhjen e halleve të tyre të përditshme”, e nis ai deklaratën për mediat.
Për ngjarjen e datës 27 prill 2009, kur ndodhi ngjarja për të cilën denoncohet si “vrasës” nga Partia Demokratike, Cubi tha se, “jam goditur rëndë me thikë në pjesën e qafës. Në kushtet e vetëmbrojtjes kur agresori tentoi të me godiste serish me thikë kam nxjerrë armën që mbaja me leje dhe kam qëlluar në drejtim të autorit, i cili për fat të keq humbi jetën”. Cubi tha se në çdo gjykatë është shpallur i pafajshëm, edhe kur vetë Enkelejd Alibeaj që lexoi deklaratën e sotme, ishte ministër.
“Kjo deklaratë e juaja z.Alibeaj me jep të drejtën t’ju këshilloj të gjeni një avokat të mirë për t’i dalë për zot këtyre shpifjeve”, paralajmëron Cubi.