I jep fund jetës duke konsumuar fostoksinë, pasi prindërit i mohuan dashurinë e bashkëmoshatarit 17-vjeçar.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona së të premtes në Libofshë të Fierit, ku viktima Celeste Karallambi është gjetur në momentet e fundit të jetës nga prindërit e saj. Ata kanë ndier të qarat dhe rënkimet e vajzës që vinin nga dhoma e saj. Por kur kanë shkuar për të parë se çfarë po ndodhte, e kanë gjetur atë në gjendje mjaft të rëndë.
Menjëherë ata e kanë çuar vajzën në spitalin e Fierit, por me gjithë përpjekjen e bluzave të bardha, adoleshentja ka ndërruar jetë rreth orës 22:00. Sipas mjekëve, ajo kishte konsumuar sasi të madhe lënde helmuese, por edhe familjarët e saj e kanë zbuluar vonë atë çfarë kishte ndodhur, duke bërë që helmi të vepronte dhe ta bënte të paevitueshme vdekjen e saj. Policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti në vend dhe nisi hetimin.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se 17-vjeçarja ishte gjimnaziste në Libofshë. Ajo prej disa kohësh u kishte kërkuar prindërve të saj të fejohej me një bashkëmoshatarin e saj. Por kjo nuk është pritur mirë prej tyre, shkruan Panorama
Ata e kanë mohuar këtë lidhje, duke i argumentuar vajzës që ishin ende të mitur dhe ishte herët që ata të vendosnin për një hap të tillë. Lidhja është mohuar, ndonëse, sipas të dhënave, edhe djali ka qenë i gatshëm të shpallte fejesën me 17- vjeçaren, me të cilin kishin disa kohë të lidhur.
Adoleshentja më kot është përpjekur të bindte familjen. Ata nuk kanë pranuar asnjë moment dhe kjo dyshohet të ketë shkaktuar vendimin fatal.